Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi komentoi deklaratën e kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili me të arritur në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, deklaroi se është frikësuar nga institucionet e Kosovës se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin e tij.
Ibishi në emisionin “Click” të RTV21, deklaroi se deklaratat e Pacollit janë të papërgjegjshme dhe të rënda për institucionet e Kosovës.
“Një cilësim shumë i rëndë nga një deputet për një mundësi për akt të tillë. Mendoj që është deklaratë e papërgjegjshme dhe shumë e rëndë për institucionet e Kosovës, si ato të nivelit shtetëror edhe ato të sektorit të sigurisë”, deklaroi ai. Ndërsa lidhur me deklaratat e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, u shpreh se ishin në nivel më të tensionuar, por jo edhe me kërcënime direkte.
Megjithëse u shpreh se Sveçla s’mund ta marrë rolin e policisë. “Është e papranueshme që Sveçla ta marrë edhe rolin e policisë, të hyjë edhe në çështjet operacionale të policisë, që s’është kompetencë e tij”, deklaroi ai në “Click”.