Iniciativa e Ministrisë së Arsimit për reduktimin e universiteteve publike dhe profilizimin e tyre, po shihet si e ngutshme dhe pa analizë të mirëfilltë.
Raporti nga MASHT-i ku janë përfshirë këto dy propozime, i është dorëzuar Komisionit Parlamentar për Arsim, si dhe Qeverisë, raporton KTV.
Deputetja Arbërie Nagavci ka thënë se propozimet kanë shumë mangësi.
Ajo ka kritikuar këtë formë duke e krahasuar me vendimet e Qeverive të kaluara, që sipas saj, hapën universitete publike për qëllime partiake.
Kritika ndaj këtyre propozimeve kanë edhe njohësit e arsimit.
Sipas tyre, profilizimi i universiteteve duhet të bëhet me debat publik.
Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë pranuar të flasin për këtë para kamerës, por në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se raporti në asnjë rast nuk parasheh mbyllje të asnjë universiteti.
“Ne kemi hartuar raportin por MASHT-i nuk ka kompetencë për vendime. Raporti, si i tillë, i është dërguar Qeverisë dhe Kuvendit dhe këto janë institucionet që mund të marrin hapa tutje”, ka thënë Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit Shyqiri Bytyqi.
Përveç, Universitetit të Prishtinës, në Kosovë janë edhe ai i Pejës, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit dhe Prizrenit, ndërsa shumica prej tyre u hapën ose u premtuan në kohë të fushatave për zgjedhje.