Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit të kundërligjshëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale në zonën kadastrale në Çagllavicë me pronat e dy personave fizikë në zonën kadastrale Zllatar, të cilit vendim i ka paraprirë propozimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës.
IKD-ja ka thënë se ky vendimi i nxjerrë nga Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës korrespondon plotësisht me përmbajtjen e propozim vendimit të Kryetarit të Komunës dhe se ky vendim është nxjerrë pa u zhvilluar asnjë konsultim publik dhe pa u përmbushur kërkesat ligjore.
Por tjerash, IKD theksoi se nuk sqaron cili është interesi i Komunës që të jap pronën në zonën kadastrale në Çagllavicë për të marrë pronën në zonën kadastrale në Zllatar, në të cilën tanimë është ndaluar ndërtimi.
IKD-ja i ka bërë thirrje kryetarit dhe Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës që të ndalin praktikat e kundërligjshme të këmbimit të pronave pa zhvilluar konsultime publike dhe pa respektuar dispozitat ligjore.
“Ligji NR. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës (Tutje: Ligji) në nenin 24 ka përcaktuar kushtet për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Fillimisht, ky nen ka përcaktuar se prona mund të këmbehet vetëm për qëllime të përmbushjes së interesit publik, gjersa vendimi i nxjerrë nuk e sqaron se cili është interesi publik në këtë rast. Veçanërisht, mbetet e paqartë për publikun se si mund të konsiderohet interes publik realizimi i planit rregullues ‘Prishtina e re – Zona Qendër’, gjersa është pikërisht kjo pronë që ipet në këmbim të një prone që s’ka të bëjë me këtë pjesë”, ka thënë përmes një komunikate IKD-ja.
Tutje, Instituti bazuar në ligj ka thënë se Kryetari i Komunës obligohet që paraprakisht të siguroj raport zyrtar të vlerësimit se nuk ekzistojnë prona tjera të komunës të përshtatshme për qëllimin që synohet të arrihet.
“Tutje, neni 25 i Ligjit ka përcaktuar procedurën e këmbimit të pronës publike me persona fizik apo juridik, e cila procedurë iniciohet nga komuna apo palët e interesuar dhe përfundon me vendim të Kuvendit Komunal. Kështu, vendimi i Kuvendit Komunal është akti i fundit në kuadër të kësaj procedure. Për këtë arsye, sipas Ligjit, nuk qëndron arsyetimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës se ‘…vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe…’. Kjo pasi sipas Ligjit, është vendimi i Kuvendit Komunal që këmbën pronat dhe jo vlerësimi i Ministrisë së Financave. Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Kryetari i Komunës obligohet t’i përmbahet vendimit të Kuvendit Komunal dhe jo vlerësimit të Ministrisë së Financave, të cilin do duhej ta merrte paraprakisht. Praktika paraprake e kundërligjshme në këtë fushë nuk e përligjë këtë vendim”, ka shtuar IKD.