Fjalë Kyçe

IKSHPK-ja sërish bën thirrje për respektim të masave anti-COVID

IKSHPK-ja sërish bën thirrje për respektim të masave anti-COVID

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një postimi në Facebook sërish ka bërë thirrje që të respektohen masat kundër koronavirusit: bartja e maskës, distanca dhe higjiena.

IKSHPK-ja shton se bartja e maskave është obligative.

“Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve. Mos e nënvlerësoni virusin. Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale. Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: maska, distanca, higjiena”, thotë IKSHPK.

Në Kosovë sot janë konfirmuar 281 raste të reja me COVID-19, dhe IKSHPK-ja thekson se kjo është shifër rekorde deri më sot.

“Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave. Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos respektimit të distancës dhe mosmbajtjes së maskave”, thuhet në njoftim. “Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë”.

Sipas IKSHPK-së pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë është obligim dhe duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

Instituti Kombëtar shton po përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike me COVID-19 tashmë qe nëntë muaj pa ndërpre 24 orë.

“Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës”, thotë IKSHPK.

Tutje thuhet se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

“Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Por, ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thotë IKSHPK.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin Anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.