Fjalë Kyçe

IKSHPK ndihen nën presion: Jo të gjithë mund të testohen në të njëjtën ditë

IKSHPK ndihen nën presion: Jo të gjithë mund të testohen në të njëjtën ditë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe individëve nga organizata të ndryshme, që të ndalin presionet mbi këtë institucion dhe të mos pengojnë punën e tij.

Në një njoftim drejtuar medieve nga IKSHPK, thuhet se epidemiologët të cilët po trajtojnë rastet e infektuara me koronavirus, po ndeshen me sjellje të vrazhda dhe po marrin edhe fyerje nga persona të caktuar.

“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore, por nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të secilit që vet-vlerëson se duhet të testohet, pasi që një përgjegjësi e tillë i takon IKSHPK, e cila bën hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave si dhe komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla”.

“Fatkeqësisht, individë të ndryshëm, dukë përdorur edhe median dhe ndjeshmërinë e situatës, bëjnë presion mbi epidemiologët, të cilëve u ka rënë barra kryesore e kontaktit me pacientët e infektuar, të gjitha kontaktet e tyre, dhe gjatë punës së tyre, këto ekipe ndeshen me sjellje të vrazhda si dhe marrin edhe fyerje nga personat e tillë”.

“IKSHPK kërkon nga personat të cilët janë kontakte të kontakteve që të kenë mirëkuptim gjatë punës me ekipet e IKSHPK-së dhe ta kuptojnë faktin se jo të gjithë mund të testohen në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë, përderisa kërkon më shumë kujdes dhe mirësjellje nga të tjerët që në mënyrë të padrejtë dhe nga karantinat e ndryshme shigjetojnë profesionistët shëndetësor dhe institucionit duke adresuar kritika të paargumentuara dhe duke njollosur punën e IKSHPK-së”.

“IKSHPK do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në zbatimin e Planit të Veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe Reagimit kundër koronavirusit Covid-19, dhe të ruaj shëndetin publik të popullatës”, thuhet në njoftim.