Një gjykatë në Francë ka dënuar një imam me dy vjet burgim për shkak se ndihmoi emigrantët të kalonin ilegalisht kanalin anglez dhe të shkonin në Britaninë e Madhe.
Imami, 39 vjeçar i cili është edhe refugjat politik nga Irani, u dënua nga gjykata e krimeve të lehta këtë të hëne. Një tjetër 29 vjeçar, nga Senegali gjithashtu u dënua se i asistoi imamit dhe e ndihmoi atë. Ky i fundit u dënua me 18 muaj burg.
Lajmi u bë i ditur, pasi që të dielën 70 persona tentuan që ta kalonin kanalin anglez, i cili e lidh Britaninë me Francën. Sekretari i brendshëm i Britanisë, Sajid Javid ka thënë se ky fenomen është shumë shqetësues, raporton Euronews, transmeton Gazeta Express.
Javid tha se “nën rregullat e Bashkimit Evropian, një emigrant duhet të kërkojë azil, në vendin e parë në të cilin i shkel këmba, e jo të tentojë të shkojë në vende të tjera. Që nga Janari, 30 persona kanë arritur ilegalisht përmes anija, nga Evropa për në Britani”.
Imami, i cili u dënua, nuk u identifikua nga mediat franceze për shkak të sigurisë së tij.
Veprimi i tij u zbulua përmes përgjimeve telefonike. Sipas këtyre përgjimeve, personat që ai i ndihmoi të shkonin në Britani, e kishin vizituar atë disa herë në xhaminë e tij përpara se ta kryejnë veprimin.
Imami dhe 29 vjeçari nga Senegali, e rrëfyen të gjithë atë që e kanë bërë, por pretenduan se nuk e kanë ditur se veprimi është kundër rregullave të BE-së.