Fjalë Kyçe

Indetifikohet trupi i pajetë i cili u gjet pranë lumit Llapushnicë në Gjilan

Indetifikohet trupi i pajetë i cili u gjet pranë lumit Llapushnicë në   Gjilan

Trupi i pajetë i cili është gjendur në mes fshatrave Llovcë dhe Burincë në komunën e Gjilanit është identifikuar në bazë të dokumenteve të identifikimit të cilat janë gjetur.

Siç njoftohet nga Prokuroria bëhet fjalë për viktimën me inicialet B.O i cili ishte zhdukur që nga 24 marsi i këtij viti.

Prokuroria përmes një komunikate ka konfirmuar indetifikimin e trupit të pajetë i cili në fakt ka qenë i dekompozuar.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se më 04 maj 2020, në afërsi të lumit Llapushnicë, i cili gjendet afër fshatit Llovcë, komuna e Gjilanit, është gjetur një trup pa shenja jete. Në trupin e pa jetë, në bazë të dokumenteve të identifikimit ka rezultuar se bëhet fjalë për tani të ndjerin B.O. (1978), i cili nga familjarët e tij kishte qenë i raportuar si person i humbur, që nga data 24 mars 2020. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë i të njëjtit është dërguar për kryerjen e obduksionit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë dhe rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë” thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Njoftohet se vetura e viktimës është gjetur në fshatin Muqibabë dhe policia kishte filluar me gjurmimin e terrenit në atë zonë pasi ishte lajmëruar si person i zhdukur. Por aksioni i policisë dhe banorëve për gjetjen e tij ka qenë e pasuksesshme. Kurse trupi i pajetë i viktimës është gjetur në një lokacion tjetër pra në mes fshatrave Llovcë dhe Burincë.

Trupi i viktimës i cili është i dekompozuar është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ku edhe do të sqarohen rrethanat e vdekjes. Ndryshe viktima B.0 (42 vjeç) ka qenë punëtor i Bibliotekës “Mehmet Jusufi” në komunën e Preshevës e cila gjendet në territorin e Serbisë.