Fjalë Kyçe

Tre të prekur me Covid-19 në gjendje kritike në Kosovë, njëri shtrohet në Infektivë pa vetëdije

Tre të prekur me Covid-19 në gjendje kritike në Kosovë, njëri shtrohet në Infektivë pa vetëdije

Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se në Klinikën Infektive aktualisht po trajtohen 43 raste me Covid-19, kurse, tre janë në gjendje kritike.

Sipas tij, nga 170 raste të konfirmuara me Covid-19, 70 kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive.

“Gjendja e tyre në përgjithësi është e mirë me përjashtim të 8 rasteve, ku 5 prej tyre kanë nevojë për oksigjeno terapi dhe tri raste në gjendje me të rënd që ne e quajmë gjendje kritike”, ka thënë ai.

Krasniqi shtoi se njëri nga rastet e rënda është qe 10 ditë në Klinikën Infektive dhe është në respiratorë, ndërsa, tjetra është që katër ditë. Kurse, personi i tretë është rast që është pranuar sot në klinikë dhe ishte pa vetëdije.

Ai shtoi se sipas të dhënave i bie që në 10 mijë banorë e kemi një të prekur me Covid-19.

Infektologu thotë se është pozitive që në Kosovë nga 170 të prekurit me coronavirus vetëm 70 prej tyre kanë marrë mjekim në Klinikën Infektive ndërsa pjesa tjetër janë izoluar ën shtëpitë e tyre për trajtim më të lehtë.

Krasniqi thotë se personalisht ka menduar se pikërisht Malisheva do ta kalojë më së lehti këtë virus edhe për shkak të përvojës me rriqrat.

“Fatkeqësisht pandemia doli të jetë e paparashikueshme”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Infektologu tregon edhe disa dilema që kanë klinicistët me epidemiologët.

“Nëse nuk i prekni sytë, hundën apo gojën, nëse nuk kolliteni dhe s’keni kontakt me personat e infektuar s’ka se si të infektoheni. Edhe nëse keni pasur kontakt dhe më pas i pastroni duart nuk ka rrezik…Virusi nuk mund të futet në trup përmes lëkurës”.

Krasniqi thotë se qytetarët nuk po i zbatojnë masat sa duhet pasi infektimi nuk është aq i thjeshtë. Ai thotë se më nuk ka raste të importuara, por rastet e reja nga papërgjegjësia e qytetarëve.

“Çdo rast [me coronavirus] pas datës 20 mars është për shkak të pakujdesisë sonë”, tha ndër të tjera Valbon Krasniqi.