Mbi 30 vendime të rrënimit të objekteve pa leje janë ekzekutuar nga viti 2019 deri më tani në Komunën e Prishtinës. Inspektorët e komunës kanë bashkëpunuar me policinë për rrënimin e këtyre objekteve. Edhe palët që kanë ndërtuar pa leje i kanë rrënuar objektet e tyre.
Kështu po thotë i pari i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.
Ai ka treguar për Express se ka mbetur një numër i vogël i vendimeve të tilla që do të ekzekutohen gjatë ditëve në vijim.
“Nga viti 2019 e deri tash, janë mbi 30 vendime të rrënimit që janë ekzekutuar. Madje, një pjesë të tyre i kanë ekzekutuar vetë palët, duke i rrënuar vetë pjesët e ndërtuara pa leje. Ka mbetur një numër shumë i vogël i vendimeve të tilla, të cilat do t’i zbatojmë në vazhdim, në rast se nuk ekzekutohen nga palët”, ka thënë Tahiri.
Ai ka treguar se aksionet e rrënimit të ndërtimeve pa leje Inspeksioni i kryen në bashkëpunim me policinë.
Kjo sipas tij po bëhet që inspektorët dhe punëtorët e kompanisë së rrënimit të jenë të sigurt në kryerjen e detyrave që kanë.
“Kemi rrënuar anekse pa leje, tejkalime të ndryshme të lejes ndërtimore, mbindërtime, terrasa, e të ngjashme. Të gjitha këto janë tejkalime të bëra pas shtatorit 2018, meqë ato të mëhershmet trajtohen me Ligjin për Legalizim”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, javën që lamë pas, Inspeksioni i Komunës së Prishtinës ka rrënuar një aneks që kishte nisur të ndërtohet pa leje në rrugën “Muharrem Fejza”.
Kjo është bërë e ditur përmes një statusi në Facebook nga Adonis Tahiri.
“Inspektorët e zonës kanë ndërmarrë me kohë të gjitha veprimet ligjore, dhe i kanë dhënë afat palës që t’i rrënojë vetë shtyllat e ndërtuara pa leje. Meqë pala nuk ka vepruar, sot, angazhuam kompaninë përgjegjëse që të ekzekutojë vendimin e rrënimit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.