Fjalë Kyçe

Inspektorati e konsideron të jashtëligjshëm suspendimin e kardiologut Bajraktari, ky i fundit i drejtohet ministrit Ismaili

Inspektorati e konsideron të jashtëligjshëm suspendimin e kardiologut Bajraktari, ky i fundit i drejtohet ministrit Ismaili

Inspektorati i Punës e ka konsideruar të jashtëligjshëm vendimin e SHSKUK-së për suspendimin e kardiologut Gani Bajraktari. Për këtë, dy shkallët e këtij institucioni kanë vlerësuar se SHSKUK-ja pa fakte e ka suspenduar këtë mjek, raporton Koha Ditore.

Pasi shkalla e dytë e inspektoratit të punës e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë, Kardiologu Gani Bajraktari, në profilin e tij në Facebook, i ka bërë një kërkesë publike ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit.

Kjo erdhi pas suspendimit që i ishte bërë atij, pas ankesës së një pacienti që Koha.net pati mësuar, se Bajraktari, i kishte kërkuar të shkonte në një spital privat.

Vendimin e mori Inspektorati i Punës, ndërsa Bajraktari thotë se ky suspendim ndodhi përmes thashethemeve. Këtë vendim madje e ka quajtur joprofesional, dhe thotë se SHSKUK-ja, tani detyrohet ta paguajë atë për tri paga mujore.

Bajraktari ndër të tjera në kërkesat drejtuar ministrit Ismaili, thotë se beson që ai nuk do ta tolerojë të vazhdojë tutje një gjendje të tillë.

“Unë nuk dua të besoj se ju do të lejoni të funksionojë edhe më tutje një institucion që në dy faqe Vendim, bënë 10 gabime profesionale (shif Vendimin e IP), sepse lënia në funksione e tyre është shumë dekurajuese dhe frikësuese për punëtorët e këtij institucioni!”, shkruan ai.

Lexoni të plotë letrën e Bajraktarit:

Kërkesë publike për Ministrinë e Shëndetësisë, Z. Uran Ismaili

I nderuari Z. Ministër,

Siç mund të shihni nga ky Vendim i Inspektoratit të Punës, suspendimi im nga puna ka ndodhur në bazën e thashethemeve, të cilat me shumë gjasë janë fabrikuar nga vet aktorët e kësaj maskarade me elemente të një hakmarrjeje të shfrenuar dhe të turpshme, me vendime arbitrare, joetike dhe joprofesionale nga menaxhmenti i SHSKUK, të cilat kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në sektorin që ju e udhëhiqni.

Për më tepër, këto vendime amatoreske me dhjetëra gabime profesionale të Komisioneve Profesionale të SHSKUK të listuara nga Inspektorati i Punës, kanë dëmtuar buxhetin e taksapaguesve të Republikës së Kosovës, sepse tani SHSKUK është e detyruar të më paguajë tri paga mujore, për muajt në të cilët unë nuk kam punuar fare! Krejt kjo për teket dhe/ose joprofesionalizimin e kompetentëve!

Nuk jam i vetmi unë Z.Ministër që do marr 3 paga mujore për të njëjtin motiv: Janë edhe së paku 2 kolegë të tjerë të cilët afërsisht me të njëjtat motive janë suspenduar padrejtësisht nga SHSKUK dhe do të marrin nga 3 paga. Dëmtimi i buxhetit më këtë rast është rreth 3000 Euro në total.

A e kemi ne këtë luks Z. Ministër që, qoftë për teke të dikujt, qoftë për joprofesionalizëm me gabime amatoreske, të dëmtojmë buxhetin e varfër të shtetit tonë?

A është normale Z. Ministër që në këtë rast të dëmtohet drejtpërdrejtë pacienti, sepse me këto 3000 euro të shpenzuara nga buxheti i Shëndetësisë për teke të dikujt, do të mund të furnizoheshin qindra pacientë të varfër të Kosovës me gjilpëra dhe gjëra bazike mjekësore?

A është normale Z. Ministër që për teke të dikujt të privohen qindra pacientët nga vizita tek unë për tre muaj me radhë (me vendime arbitrare të motivuara me elemente hakmarrëse), të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre pa u vizituar, duke pritur kthimin tim (edhe me rrezikim të jetës së tyre)?

  1. Ministër, ju lutem shumë ndërmerrni veprimet më të rrepta ndaj përgjegjësve në bazë të përgjegjësisë zingjirore të tyre në sajimin e këtij vendimi skandaloz, me pasoja të rënda për shëndetësinë kosovare! Kërkoni përgjegjësit dhe shkarkoni nga funksionet e tyre në sektorin e Shëndetësisë, sepse ky nuk është skandal i vogël! Unë besoj shumë se ju nuk do ta toleroni një gjendje të këtillë! Unë nuk dua të besoj se Ju do të lejoni të funksionojë edhe më tutje një insitutcion që në dy faqe Vendim, bënë 10 gabime profesionale (shif Vendimin e IP), sepse lënja në funksione e tyre është shumë dekurajuese dhe frikësuese për punëtorët e këtij institucioni!
  2. Ministër, bëjeni këtë për hatër të gjeneratave të reja, të cilat ky dhe vendime të ngjashme i motivojnë ata edhe më shumë që të marrin rrugën pakthim të lëshimit të Kosovës për një jetë më të mirë, sepse suspendimi i një Profesori Universitar në baza kaq të ulëta nuk ndodh askund, madje edhe në vendet më të pazhvilluara të globit.

Mos e bëni këtë për mua, sepse unë, sado që më përpjekje të sforcuara me motive të ulëta ndiqem e persekutohem, sado që tentohet me sforco që të denigrohet personaliteti im, unë jam mirë dhe mirë do të jam!

Sinqerisht,

Prof.dr. Gani Bajraktari