Fjalë Kyçe

Institucionet do t’i verifikojnë kandidatët për deputetë, Elezi jep detaje

Institucionet do t’i verifikojnë kandidatët për deputetë, Elezi jep detaje

Të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit për t’u certifikuar do të duhet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucione të ndryshme.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha për Klankosova.tv se verifikimi i aftësisë së kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, është një kërkesë që buron nga neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Sipas këtij ligji, institucionet kompetente me kërkesë të KQZ-së, bëjnë verifikimet e nevojshme që kërkohen. Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ, përmes Zyrës për Regjistirim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, do t’iu dërgojë shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”.

“Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvedin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera varësisht natyrës së verifikimit”.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.

“Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim të ligjor’, deklaroi ai, njofton Klankosova.tv.

Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ kërkesat për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë.