Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pasi sipas tij, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka dy ditë që ka marrë mostrat e punonjësve të Spitalit të qytetit për koronavirus, por ende nuk i ka dhënë rezultatet.
Sipas tij, kjo mund të ndikojë që Gjakova, shpejtë të kthehet në vatër të COVID-19, ndonëse tash e tetë javë nuk është shënuar asnjë rast. Reagimi i Gjinit vjen pasi një paciente e Rahovecit, që ishte e shtruar për një javë në Spitalin e Gjakovës, para katër ditësh ka rezultuar pozitive.
Më 8 maj, 19 punonjësve të spitalit u janë marrë mostrat, por ende nuk u janë kumtuar rezultatet. “Të hënën në takimin e kryetarëve të komunave të Kosovës me ministrin Zemaj dhe Prof. Ramadani nga IKSHPK-ja e kam ngritur këtë rast dhe kam kërkuar rezultate të shpejta të testeve, sepse pas tetë javësh pa asnjë të infektuar, Gjakova mund të kthehet në një vatër të re infeksioni mu për faktin se pacientja ka qëndruar gjatë në spital dhe, edhe më keq, përpos personelit mund të ketë edhe pacientë tjerë të infektuar. Reagimi im ka të bëjë me faktin se po hymë në ditën e katërt qëkur është diagnostikuar pacientja dhe ende nuk kemi rezultate për personelin shëndetësorë të spitalit regjional të Gjakovës. Më 8 të këtij muaji janë marrë mostrat e 19 punëtorëve personel i spitalit dhe as sonte më dt. 10 nuk janë trajtuar mostrat. Kjo është absolutisht e pajustifikueshme. Nuk kam fjalë tjera!”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Deri më tash në Gjakovë janë shënuar 16 raste me kronavirus, ndërkohë që një pacient ka vdekur.