Fjalë Kyçe

Inteligjenca, e trashëguar apo…

Inteligjenca, e trashëguar apo…

A është inteligjenca e trashëguar apo është një shprehje individuale e përcaktuar nga faktorë të përgjithshëm? Nëse ju jeni përpara një gjëje të vështirë, dorëzoheni, arsyetoni nëse keni arritur në limitin e aftësive tuaja njohëse. A i lidhni sukseset tuaja me zgjuarsinë, ndërsa dështimet me mungesën e inteligjencës? A e konsideroni aftësinë intelektuale si një komponent të domosdoshëm të çdo arritjeje apo janë përpjekjet dhe puna e madhe që bëni që ju çojnë drejt suksesit? A është inteligjenca fikse dhe e lindur? A është ajo një ndërthurje e faktorëve personal, si: përpjekjet dhe motivimi dhe e faktorëve mjedisorë, si: familja dhe pjesëtarët e shoqërisë?

Një vëzhgim historik

Koncepti i inteligjencës ka ndryshuar nga koha në kohë në varësi të ideve dhe veprave të botuara në kohë të ndryshme. Kështu, publikimi i Darvinit në 1859 krijoi një përplasje të madhe në biologji dhe në fusha të tjera. Ndërsa Fransis Galton, një përkrahës i principeve të Darvinit shpiku për herë të parë termin “eugen”, ku sipas greqishtes së lashtë përkthehet “I mirë që në lindje”. Në veprën e tij “Gjeniu i trashëguar” ai argumenton që tiparet mendore janë të trashëguara, ashtu si dhe tiparet fizike. Galton besonte se inteligjenca dhe aftësia fikse janë të lindura dhe të trashëguara. Kështu, ai hodhi idenë e bërjes së “martesave të mira”, siç e quante ai, si një rrugë e krijimit të një qenieje humane superiore. Studimet e Mendelit mbi ligjet e trashëgueshmërisë, mbi tiparet recensive dhe mbizotëruese, e rritën akoma dhe më shumë interesin në fushën e gjenive njerëzorë.

Në gjysmën e parë të shekullit të njëzet u përforcua akoma më shumë kjo ide dhe u bë pothuaj fakt që gjene të vetëm përcaktonin tipare si, alkoolizmi apo paaftësia mendore. Më vonë filluan të bëheshin eksperimente të ndryshme në këtë fushë, duke e arritur kulmin në “selektivitetin e egër” të gjenive në Gjermaninë naziste. Kështu, në Gjermani, para Luftës së Dytë Botërore filloi të zbatohej programi për “sterilizimin” e detyrueshëm dhe asgjësimin e gjithë qytetarëve të Gjermanisë që mendohej se kishin deformime gjenetike, duke përfshirë këtu dhe ata me deformime fizike. Ky program u forcua më tej gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke bërë që të ndërmerren shumë krime dhe gjenocide në popuj të tjerë.

Është natyra dhe shkaqe të tjera që çojnë në ndryshime të inteligjencës humane, domethënë, njerëzit nuk janë të njëjtë në arsyetim, në të menduar apo në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Atëherë shtohet pyetja: A është aftësia e përgjithshme mendore e quajtur “inteligjencë” që shkakton këto ndryshime apo ekziston ndonjë arsye tjetër?

Teoritë mbi inteligjencën – Vëzhgime psikometrike

Sipas kësaj teorie vërtetohet se diferencat individuale në dijet dhe aftësitë mendore të njerëzve mund të maten në mënyrën e duhur nëpërmjet testeve të inteligjencës. Ata theksojnë se ka shumë teste që mund të matin më së miri njohuritë skolastike dhe akademike, por jo inteligjencën. Megjithatë, sot ekziston një test që përdoret gjerësisht për matjen e inteligjencës dhe quhet Testi IQ, që ofrohet në formë verbale ose jo verbale. Pikët mesatare në këtë test janë 100 dhe rreth 95 % e popullsisë marrin nga 70 deri në 130 pikë.
Psikometrikanët pohojnë se njerëzit lindin me potenciale të pabarabarta mendore si dhe lindin me potencial fizik të pabarabartë, si gjerësia apo ngjyra e syve.

Pra, sipas këtij vëzhgimi pohohet se një faktor i njohur si inteligjenca mund të matet me Testin IQ dhe parashikojnë sukses në jetë.

Vëzhgimi psikologjik i dijes

Përkrahësit e kësaj teorie e shikojnë inteligjencën si një proces, jo si një aftësi të lindur. Ky proces konsiston në prezantimin mendor të problemeve, lidhjen e tyre me informacionin përkatës dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Shkurt ai thekson përvojën si çelësin e suksesit në jetë, megjithatë nuk eliminon lidhjen e përgjithshme ndërmjet inteligjencës dhe përvojës.

Teoria e inteligjencës shumëfishe e Gardnerit

Gardner argumenton se testet psikometrike lënë mënjanë shumë aspekte të inteligjencës. Ai gjithashtu pohon se formatet e testeve me fletë e laps përjashtojnë shumë nga paraqitjet e inteligjencës, të cilat janë mjaft të rëndësishme për një jetë të suksesshme.

Teoria e triadës së Sternbergut

Ky vëzhgim pohon se inteligjenca mund të matet nëpërmjet tri përmasave të saj:

– inteligjenca analitike (e ngjashme me atë fotometrike e bazuar në Testet IQ);

– inteligjenca krijuese (përfshin mprehtësinë, sintezën dhe intuitën);

– inteligjenca praktike (aftësia për të kuptuar dhe për të zgjidhur problemet e jetës së përditshme).

Megjithatë, Sternberg nuk hedh poshtë disa nga parimet e inteligjencës së trashëguar, por ai thekson se zhvillimi i inteligjencës përfshin të tri aspektet e saj.

Problemet që lidhen me vëzhgimet psikometrike

Sipas vëzhgimeve psikometrike pohohet se inteligjenca është parashikuesja e vetme dhe më e mirë e shprehjes individuale si në shkollë, ashtu edhe në punë, por njëkohësisht është dhe përgjegjëse për ndryshime, si: divorci, lënien e shkollës, papunësinë etj. Asnjë nga ne nuk e di me siguri se inteligjenca është shkaku dhe rezultati i faktorëve të përmendur më lart. Më poshtë do të paraqesim disa vërejtje, si dhe lidhjen që kanë me suksesin në jetë.

*Shumë njerëz me rezultate të larta në Testet IQ dështojnë gjatë kërkimit për të pasur një jetë të suksesshme si rezultat i mungesës së motivimit, personalitetit, përtacisë. Në dallim nga disa njerëz të tjerë me rezultate të ulëta në testet e inteligjencës IQ kanë sukses si rezultat i dedikimit personal, vizionit, përpjekjeve sistematike dhe motivimit. Marrim si shembull një atlet të talentuar. Disa atletë kanë talente speciale për sporte të caktuara. Megjithatë, fillimisht, ata dështojnë në suksesin e tyre nëse nuk e zotërojnë këtë talent, por më vonë gjithçka do të varet nga përpjekjet sistematike.

* Një Test IQ shërben si një përfundim i shpejtë, pasi ai mat se sa shpejt njerëzit mësojnë dhe zgjidhin probleme të vështira. Tani është një fakt i njohur që nëse diçka mësohet, atëherë ndryshimi mes personit me pikë të ulëta në IQ dhe atij me pikë të larta nuk është shumë i dukshëm.

* Një pjesë e mirë e inteligjencës duket se është e nevojshme për të hyrë në një fushë intelektuale. Megjithatë, edhe pa këtë veti, suksesi përcaktohet nga përpjekjet që bën në punë, mbështetja sociale dhe përvoja.

* Në vendet perëndimore mesatarja e pikëve në Testet IQ ka ardhur duke u rritur edhe pse paraqitja e rezultateve në shkollë ka qenë pothuaj konstante apo ka ardhur duke u zvogëluar. Kjo tregon qartë se suksesi në jetë nuk lidhet direkt me nivelin e pikëve të Testeve IQ.

* Njerëzit mund të rritin nivelin e pikëve në Testet IQ, duke u familjarizuar me të. Kjo të lë të kuptosh se përvoja dhe përpjekjet e nevojshme të çojnë drejt suksesit.

* Mjedisi kulturor dhe familjar si: besimi, brenga, frika, mungesa e kujdesit shëndetësor, së bashku me faktorët biologjikë, si: të ushqyerit dhe përdorimi i substancave toksike, alkooli) ndikojnë në nivelin e pikëve në Testet IQ. Këta njerëz arrijnë rreth 97-98 pikë edhe pse arritjet e tyre akademike dhe profesionale janë pothuaj si ato të njerëzve me një nivel mbi 120 pikësh në Testet IQ dhe kjo lidhet pikërisht me besimin që kanë njerëzit në të mësuar. Kështu, në kulturat perëndimore shikohet dështimi si rezultat i zgjuarsisë dhe i mprehtësisë së pamjaftueshme, ndërsa në kulturat aziatike dështimi vjen si rezultat i përpjekjeve jo të mjaftueshme.

* Një gabim tjetër që bëhet është mendimi se diçka e trashëguar është e pandryshueshme. Fëmijët e adoptuar nga familje me një nivel të lartë pikësh në Testet IQ japin rezultate më të mira sesa pritej të kishin nëse do të ishin rritur me prindërit që i kanë lindur. Kjo tregon se edukimi në rritje dhe faktorët me të cilët ai përballet gjatë rritjes ndikojnë në suksesin e tij në jetë.
Gjithashtu, zgjedhjet personale dhe individuale kanë një ndikim të konsiderueshëm e më të madh se çmendohej në jetë.

* Disa mendojnë se Testet IQ nuk matin më shumë sesa gjendjen kulturore, edukimin apo rrjedhshmërinë në të folur dhe se ato nuk janë të trashëguara ashtu si ngjyra e syve apo faktorët fizikë, pasi mund të modifikohen, kurse faktorët fizikë jo.

Konkluzioni

Megjithëse parashtruam shumë ide, është e vështirë të dalësh në përfundimin nëse inteligjenca është një aftësi e lindur dhe e trashëguar që çon në sukses në jetë. Me përjashtim të disa njerëzve të talentuar e disa të tjerëve që janë mendërisht të vonuar, të gjithë njerëzit e tjerë kanë të njëjtat aftësi për të qenë të suksesshëm në jetë. Burri dhe gruaja janë krijuar për të mësuar. Procesi i gjatë i të mësuarit dhe suksesi që vjen nga ky proces janë të lidhur ngushtë me përpjekjet e bëra. Vështirësitë e shumta që hasen nuk duhet të ndalojnë njerëzit që të përpiqen më shumë për të arritur qëllimin. Mësimi i të mësuarit është i mundshëm dhe varet nga gatishmëria për të qenë rezistent kur përballesh me dyshime. Pa hedhur poshtë faktorët gjenetikë, një rol shumë të rëndësishëm për suksesin tonë në jetë kanë zgjedhjet e duhura dhe përpjekjet e vazhdueshme.