Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se gjatë vitit që lamë pas janë kryer 12 arrestime të zyrtarëve policor.
Sipas IPK-së, gjatë vitit 2018 janë pranuar 1419 ankesa dhe informata, dhe në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të lehtë të numrit të përgjithshëm të tyre, shkruan lajmi.net.
“IPK gjatë vitit 2018 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1419 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar numri i ankesave ka një ngritje të lehtë (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1226 ankesa). Prej tyre 762 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Nga 143 raste me elemente të veprës penale, 90 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 18 raste.
Gjithsej gjatë vitit 2018 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 194 punonjës të PK-së.
E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.29 % i punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale.
Gjatë vitit 2018, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:
Këtë vit IPK-ja ka hetuar 36 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare .
Një ndër funksionet bazë të Inspektoratit Policor të Kosovës është edhe zhvillimi i inspektimeve ndaj Policisë së Kosovës. Këto inspektime realizohen në mënyrë që përmes tyre të bëhet identifikimi dhe parandalimi i çfarëdo devijimi nga aktet ligjore dhe procedurat me të cilat funksionon Policia e Kosovës.
Në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave, Divizioni i Inspektimit dhe Raportimit në kuadër të Departamentit të Inspektimit në drejtim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore në raport me legjislacionin dhe standardet e kërkuara, gjatë vitit 2018 ka realizuar nëntë (9) inspektime, nga të cilat, pesë (5) të rregullta bazuar në Planin Vjetor të Inspektimit dhe katër (4) të jashtëzakonshme. Gjatë vitit 2018 janë realizuar këto inspektime:
“Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur një mori aktivitetesh nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media. IPK ka realizuar edhe disa takime me qytetarë që kishin për synim diskutimet e hapura me qytetarët për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe rëndësinë e integritetit policor”, thuhet më tutje në njoftimin e IPK-së.