Nga shpallja e rezultateve përfundimtare nga KQZ, janë disa ish-deputetë që s’do të jenë më pjesë e legjislaturës së shtatë.
Nga Partia Socialdemokrate, asnjë nga ish-deputetët s’kanë marrë vota të mjaftueshme, transmeton Koha.net.
Në rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, për kandidatët për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shihet se njëri nga ish-deputetët e kësaj partie ka mbetur jashtë. Ismet Beqiri ka marrë veç 7,121 vota, vota këto që kanë lënë jashtë përfaqësimit në Kuvend. Kujtojmë se në zgjedhjet e 2017-s, Ismet Beqiri kishte marrë votat e mjaftueshme për ta përfaqësuar LDK-në në Kuvend.
As Xhavit Haliti i PDK-së nuk do të jetë më deputet. Në zgjedhjet e 6 tetorit Haliti ka marrë 8,351 vota, apo 2 mijë e 14 vota më pak vota se zgjedhjet e kaluara. Haliti në legjislaturën e kaluar kishte hyrë me 10 mijë e 365 vota, ndërsa në këto zgjedhje ai ka marrë vetëm 8 mijë 351.
As Milaim Zeka s’do të jetë më deputet. Ai ka marrë vetëm 795 vota. Zeka kandidoi në zgjedhjet e 6 tetorit prej Partisë Euroatlantike të Kosovës.
Pjesë e Kuvendit s’do të jenë as Sami Kurteshi e Ismail Kurteshi, ish-deputetë të Vetëvendosjes.