Fjalë Kyçe

Ish-deputetët e ministrat e Kosovës mbajnë armë, kjo është arsyeja

Ish-deputetët e ministrat e Kosovës mbajnë armë, kjo është arsyeja

Armëmbajtja është një dukuri mjaft e theksuar në shoqërinë kosovare. Shumica e personave që mbajnë armë, sipas statistikave zyrtare, i takojnë kategorisë së personave që mbajnë armë pa leje. Por, ka edhe persona që armëmbajtjen e kanë legalizuar për arsye nga më të ndryshmet.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 270 leje të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për armëmbajtje nga personat fizikë. Në këtë numër hyjnë edhe politikanë, përfshirë ish-deputetë e ministra si dhe persona të tjerë.

Disa e mbajnë armën për rekreacion, gjueti e sport, e të tjerë edhe për sigurinë e tyre, ngase autoritetet përgjegjëse e kanë vlerësuar se janë persona që i takojnë kategorisë së kërcënuar.

Shkumbin Demaliaj, deputet nga legjislatura e fundit, tashmë e shpërndarë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ka një armë për të cilën posedon leje pesëvjeçare me mundësi vazhdimi.

“Armën e kam me leje, rreth një vit e gjysmë para se të kandidohesha për deputet. Është armë e shenjëtarie për sport dhe e mbaj me dëshirë edhe për faktin se me ligj është e lejuar”.

“E dua armën, e kam dashur edhe kur ka qenë lufta dhe e mbaj me krenari. Por, është armë e sportit, është armë për shenjëtari. Nuk e kam me leje të veçantë, e kam si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës që kanë drejtë të pajisen me armë të vogla”, thotë Demaliaj.

Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se ministria ka nisur të bëjë reduktimin e lejeve për armë. Ministri i Punëve të Brendshme në dorëheqje, Ekrem Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht janë 270 armë me leje.

“Sa u takon armëve me leje, unë si ministër kam filluar t’i reduktoj. Përveç një, vetëm një personi, ia kam nënshkruar pajisjen me leje të armës deri më sot, bëhet fjalë për një vit si ministër. Kemi filluar, pra, që të zvogëlojmë lëshimin e lejeve për armë. Sa u takon deputetëve, nuk e di, nuk kam listë se cilët kanë pasur më herët leje të armëve”, bën të ditur Mustafa.

Ish-deputeti në largim, të cilit i është lejuar mbajtja e armës nga Ministria e Punëve të Brendshme është kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq.

Ministria e Punëve të Brendshme i kishte lëshuar atij lejen për armë pas një rasti, kur Petroviq ishte sulmuar fizikisht nga dy persona, të cilët, sipas Petroviqit, ishin njerëz të afërt me ish-ministrin e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, nga Lista Serbe.

“Unë jam me polici [përcjellje policore] 24 orë bashkë. Ju e dini pse dhe arsyen e di i gjithë populli”, tha shkurt, Sllobodan Petroviq pa dashur që të komentonte më shumë për këtë çështje.