Fjalë Kyçe

Ish-imami nga Lipjani: Betohem para Zotit, para juve dhe para ligjit që s’i kam keqpërdorur paratë e besimtarëve

Ish-imami nga Lipjani: Betohem para Zotit, para juve dhe para ligjit që s’i kam keqpërdorur paratë e besimtarëve

Me dhënien e fjalës përfundimtare të prokurorisë e mbrojtjes, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në të cilën ish-imami i Janjevës të Lipjanit, Shemsi Gajtani, akuzohet për keqpërdorim të besimit.

Sipas prokurorisë, Gajtani, gjatë kohës kur ka ushtruar këtë funksion kishte keqpërdorur paratë që besimtarët i kishin dhënë për therjen e kurbaneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përderisa, prokurorja Dulina Hamiti dhe i dëmtuari Beqir Berisha, kërkuan dënimin e ish-imamit, vetë i akuzuari ka mohuar ta ketë kryer një vepër të tillë penale.

“Betohem para Zotit, para juve dhe para ligjit që jam plotësisht i pastër në tërë këtë”, ka thënë i akuzuari Gajtani.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Dulina Hamiti kërkoi dënimin e Gajtanit.

Ajo deklaroi se me provat të cilat janë administruar në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se tani i akuzuari është fajtor për veprën për të cilën ngarkohet, ndërsa mohimin e veprës nga i akuzuari e cilësoi si ikje nga përgjegjësia.

“Konsiderojmë që nga administrimi i provave dhe dëshmive gjatë shqyrtimeve gjyqësore në mënyrë të plotë është vërtetuar se i akuzuari Shemsi Gajtani ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të besimit. Kjo është vërtetuar nga deklarata e të dëmtuarit Beqir Berisha, e dhënë në shqyrtim gjyqësor e po ashti edhe nga dëshmitarët tjerë, Isa Gashi, Vehbi Gajtani, Nexhmi Kryeziu dhe Resul Regjepi si dhe dëshmive tjera të cilat janë administruara nga ana e gjykatës. Kjo është vërtetuar edhe nga kuponët qe i pandehuri i kishte lëshuar me të njëjtin numër serik të cilat i kishte dhënë të dëmtuarve. Këto para të dëmtuarve janë paguar për prerjen e kurbaneve për festën e “Kurban Bajrimit” por i pandehuri me qëllim që të i sjell vetës pasuri të kundërligjshme i merr për vete dhe nuk i ka dorëzuar në BIK. I pandehuri në mbrojtjen e tij është munduar që ti shmangët përgjegjësisë penale por mbrojtja e tij bie në kundërshtim me provat që gjenden ne shkresat e lëndës. I propozoj gjykatës që të akuzuarin ta shpallni fajtor dhe ta dënoni sipas ligjit”, ishte fjala përfundimtare e prokurores Hamiti, të cilën e mbështeti edhe i dëmtuari Beqir Berisha.

Por, ndryshe nga prokurorja u shpreh mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sevdali Zejnullahu, sipas të cilit, me asnjë provë nuk është vërtetuar se imami Gajtani, ka keqpërdorur besimin e besimtarëve me paratë për prerjen e kurbaneve.

“Edhe më tutje është e pamundur diçka që nuk ka ndodhë, nuk janë vërtetu rrethanat dhe faktet që parashihen me ligj që një person që dyshohet për një vepër penale të shpallet fajtor.

Pasi prokuroria ka bërë rikualifikimin nga mashtrimi në detyrë në keqpërdorim të besimit. Nuk krijohet përfundimi që Shemsi Gajtani ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Aktakuza është fillim e fund hipotetik, pa theks logjik dhe në tërësi paragjykues, aktakuza kryekëput është bazuar në dëshmi të kinse të dëmtuarit Beqir Berisha, që edhe pse është konsideruar si i dëmtuar në aktakuzë vërehet se ai nuk është pajisur me kuponë. Pasi ligji ka paraparë që të mos dënohet asnjë person i pafajshëm konsideroj se i akuzuari duhet të lirohet”, tha avokati Zejnullahu.

Sipas tij, akuza është bërë me qëllime tendencioze prej disa banorëve të fshatit, të cilët kanë dashur që ta largojnë Gajtanin dhe ta zëvendësojnë me ndonjë imam, në afërsi të tyre, të cilit qellim i është bashkuar edhe prokuroria.

Fjalën e avokatit të tij, e mbështeti edhe i akuzuari i cili shtoi se rasti ndaj tij i është ngarkuar nga një grup i caktuar i njerëzve.

“Nuk kam çka të shtoj, por edhe niher betohem para zotit, para juve dhe para ligjit që jam plotësisht i pastër në tërë këtë.  Më është m ‘veshur nga një grup i caktuar i njerëzve dhe kërkoi që të më lironi nga kjo akuzë”, tha Gajtani.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli, vendosi që shpalljen e aktgjykimit ta bëjë më 26 shkurt, në ora 9:00.

Ish-imami i fshatit Janjevë, Shemsi Gajtani fillimisht akuzohej për veprën penale të mashtrimit në detyrë, por në seancën e mbajtur më 19 korrik të vitit 2018, ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale në atë të keqpërdorimit të besimit.

Prokurori Tunuzliu, kishte thënë se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës para këtij shqyrtimi, ka gjetur se i pandehuri nuk mund të ketë cilësinë e personit zyrtar.

Si pasojë e kësaj, sipas tij, rrethanat tjera që janë përshkruar në dispozitiv të aktakuzës konsideron se korrespondojnë me elementet e veprës penale “keqpërdorimi i besimit”, nga neni 343 par 2 lidhur me par 1 të KPK-së.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 28 prill të vitit 2014, i pandehuri Shemsi Gajtani, si imam i xhamisë së Janjevës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka prezantuar rrejshëm kuponët e pagesave të cilët kishin paguar nga 100 euro për kurban, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari u kishte dorëzuar kuponë në vlerë të njëjtë prej 100 euro, Avdullah Kongjelit, Lutfi Bikliqit, Haxhi Esat Bislimit, si dhe Naim e Mentor Bislimit.

Sipas aktit akuzues, të gjithë kuponët e lëshuar nga ai kanë pasur numrin e njëjtë serik dhe kanë qenë të lëshuar në fotokopje. Aktakuza thotë se i akuzuari u ka lëshuar së paku edhe pesë personave të tjerë kuponë të njëjtë në emër të po atyre pagesave të cekura më lartë, të cilët nuk i kanë ruajtur të njëjtat dhe për këtë arsye për shumat e tjera nga ana e prokurorisë i akuzuari nuk është ngarkuar. Sipas aktakuzës, i pandehuri thotë se këta kuponë i kishte lëshuar me pretekstin që nuk ka pasur kuponë të tjerë.