Fjalë Kyçe

Ish-kandidati i LDK-së për deputet emërohet në Bordin e Infrakos-it

Ish-kandidati i LDK-së për deputet emërohet në Bordin e Infrakos-it

Më 19 tetor 2020 Qeveria Hoti e ka emëruar Brahim Selimajn, Sead Thaçin, Avni Kajdomqajn dhe Sanja Lazareviqin në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”.

Brahim Selimaj ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në vitin 2019.

Selimaj ka mbajtur numrin 65 në listën e kandidatëve për deputetë në listën zgjedhore të LDK-së. Selimaj kishte grumbulluar 5,565 vota në zgjedhjet e 6 tetorit.

Brahimaj po ashtu ka qenë kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor nga viti 2014 deri në vitin 2018, raporton Kallxo.com.

Emërimi i Selimajt në bordin e ndërmarrjes “Infrakos” është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë që të gjithë drejtorët duhet të jenë të pavarur.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Qeveria e Kosovës më 19 tetor ka emëruar bordet e përkohshme të ndërmarrjeve Infrakos, Posta e Kosovës si dhe të Trepçës.

Bordi i rregullt i Infrakos është shkarkuar më 2 shkurt nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Bordi i Ndërmarrjes Infrakos përbëhej nga Enver Aruqaj –Kryesues, Lundrim Camaj –anëtar, Enis Berisha – anëtar, Shkëlqim Osmanaj –anëtar, Nagip Skenderi – anëtar dhe Arben Dodaj –anëtar.

Bordet e përkohshme të ndërmarrjeve Posta e Kosovës, Infrakos dhe Trepça janë emëruar për shkak se bordeve të përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti në muajin prill u ka skaduar mandati.