Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë një llogaritje të gabuar me pushtimin e Ukrainës, duke nxitur një konflikt që mund të përhapet përtej kufijve të Ukrainës. Sipas ish-këshilltarit presidencial të Rusisë, ky konflikt mund të nxisë një zjarr më të madh.
Në një intervistë për Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Gleb Pavlovsky tha se vendimi i Putinit për ta pushtuar Ukrainën më 24 shkurt, “nuk ka asnjë kuptim politik”.
“Ky është një vendim krejtësisht personal i Putinit. Askush përveç Putinit nuk do ta merrte këtë vendim, as Ramzan Kadyrov, nëse ai do të pyetej”, tha Pavvlovsky, duke iu referuar udhëheqësit autoritar të Republikës ruse të Çeçenisë.
“Askush, përfshirë edhe mua, nuk e kuptoi se sa i fiksuar në mënyrë maniake duhet të ketë qenë ai me Ukrainën. Ne e nënvlerësuam shkallën e kalbjes së Qeverisë ruse”
Një disident gjatë epokës sovjetike, Pavlovsky kreu një dënim para rënies së Bashkimit Sovjetik. Pas rënies së komunizimit, Pavlovksy u bë një “teknolog politik”, duke shërbyer si konsulent i Kremlinit nga viti 1996 deri më 2011. Pas kësaj, ai u bë një kritik i presidencës së Putinit.
Komentet e tij vijnë pasi forcat ruse gjerësisht kanë ngecur në përparimin e tyre ose në tërheqjen e tyre në Ukrainë, duke bërë përparime të vogla apo duke mbajtur pozicione në jug, kryesisht përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Mbi 4 milionë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë. Human Rights Watch dhe të tjerët kanë akuzuar trupat ruse për kryerjen e krimeve të luftës dhe mizori në zonat e pushtuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit.
Në intervistën për REL-in, Pavlovsky, 71 vjeç, tha se Putin “ka shkelur në një kurth në Ukrainë”.
“Ukraina do të duhej të ishte një mjet për t’i bërë presion Perëndimit që të diskutojë për çështjet e sigurisë”, tha Pavlovsky, duke iu referuar kërkesave të Kremlinit që Putini fillimisht i bëri publike në dhjetor të vitit 2021.
“Është një lojë strategjie. Por, unë u shtanga kur e pash se ai hodhi poshtë të gjitha mundësitë për negociata lidhur me sigurinë e vërtetë të Rusisë dhe në vend të kësaj zgjodhi këtë pogrom të çuditshëm që ai e quan ‘operacion të posaçëm ushtarak’”, tha Pavlovsky.
Me ushtrinë ruse që kryesisht është tërhequr nga zonat në veri të Kievit dhe ka deklaruar se tani do të përqendrohet në zonat e Ukrainës juglindore, që veçse kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia, Pavlovksy tha se Putini do ta ketë të vështirë që ta shpallë “fitoren”.
“Nënshkrimi i menjëhershëm i një armëpushimi do të ishte gjëja më e mençur që Rusia do të mund të bënte tani. Mund të marrë nga Ukraina statusin neutral, por ajo nuk do të vlente asgjë. Sa për ‘çarmatosjen’, që është shndërruar në slogan të propagandës, madhësia e dëmit në infrastrukturën ushtarake të Ukrainës është e mjaftueshme për të pretenduar se është arritur ‘çarmatosja’. Rusia do të tentojë të mbajë territoret që i ka pushtuar deri më tani, veçanërisht ato që janë në Detin Azov, por kjo do të varet nga vullneti i ukrainasve për të negociuar dhe për të ndaluar luftimet”, tha Pavlovsky, duke iu referuar detit që gjendet në skajin juglindor të Ukrainës.
Sikurse edhe vëzhguesit e tjerë të Kremlinit, Pavlovsky tha se beson që Putini po shpreson që t’i japë fund armiqësive deri më 9 maj, kur ai do të pretendonte “fitoren” teksa Rusia po atë ditë shënon mposhtjen e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Zakonisht në këtë datë mbahen parada të mëdha ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës, ku parakalojnë ushtarët dhe pajisjet e tjera ushtarake.
“Nëse një marrëveshje armëpushimi arrihet para 9 majit, në mënyrë që Rusia të mund ta festojë dhe ‘shes’ këtë si fitore, atëherë do të ishte një rezultat i mirë. Nëse jo, ne nuk do të kemi paqe dhe negociatat do të zvarriten dhe Rusia do të përballet me probleme edhe më të mëdha përmes sanksioneve”, parashikoi Pavlovsky, duke theksuar se sanksionet paraqesin rrezik edhe më serioz në terma afatgjatë ndaj mirëqenies së Rusisë.
Sa më shumë që zgjat konflikti, aq më shumë ka gjasa që Moska të përshkallëzojë situatën në Ukrainë, parashikoi Pavlovsky, duke përmendur edhe mundësinë që ky konflikt të zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës dhe të bëhet një konflikt edhe më i madh.
“Dhe nëse Rusia nuk zgjedh paqe dhe vendos ta vazhdojë luftën, atëherë mund të bëjë gjëra në Ukrainë që do të bëjnë që ky konflikt të përshkallëzojë në një nivel të paparashikueshëm. Dhe ky nivel i radhës do të ndodhë përtej kufijve të Ukrainës. Kjo mund të shndërrohet në një luftë konvencionale midis Rusisë dhe Perëndimit, me NATO-n. Se si do të duket kjo saktësisht është vështirë të thuhet, por unë më nuk mendoj se kjo mund të jetë e pamundur”, tha Pavlovsky.
Nëse agresioni rus në Ukrainë zvarritet edhe më tej – përfshirë edhe rritjen e numrit të viktimave dhe humbjeve të pajisjeve ushtarake – sanksionet botërore do të nisin që të ndihen edhe më shumë, parashikoi Pavlovsky, duke shtuar se ka pak gjasa që rusët do të nisin t’i kundërvihen Rusisë, por ka më shumë gjasa që t’i bashkohen ushtrisë.
“Nuk mendoj se ende njerëzit e kanë kuptuar ndikimin e sanksioneve, por do të fillojnë të ndiejnë pasojat gjatë verës. Dhe sapo ta kuptojnë se sanksionet janë të dizajnuara për të shkatërruar edhe ekonominë ruse, por edhe Federatën Ruse, të gjithë do të bashkohen në rezistencë. A do ta fajësojnë për këtë Putinin apo veten? A kishte ndonjë rusë që shikonte tanket gjermane duke hyrë më 1941 që fajësoi Stalinin dhe Molotovin?”, tha Pavlovsky, duke iu referuar ish-diktatorit sovjetik dhe ish-ministrit të Jashtëm sovjetik, Vyacheslav Molotov, i cili i pari e kishte nënshkruar paktin e mossulmimit me Gjermaninë Naziste, që përfshinte protokolle sekrete për ndarjen e Evropës Qendrore dhe Lindore në “sferat përkatëse të ndikimit”. Ky dokument më pas u hodh poshtë nga Hitleri i cili pushtoi Bashkimin Sovjetik.
Mundësia që elita ruse, të ashtuquajturit oligarkë, të mund të kthehen kundër Putinit është diçka për të cilën Pavlovsky është skeptik se do të ndodhë.
“Ajo e ashtuquajtur teori që supozon se oligarkët e udhëheqin Rusinë. Oligarkët kurrë nuk e kanë qeverisur Rusinë, as gjatë kohës së [Boris] Yeltsinit të dobët”, shpjegoi Pavlovsky, duke iu referuar presidentit të parë postkomunist të Rusisë.
Pavlovsky po ashtu hodhi poshtë pretendimet për largimet e njerëzve nga rrethi i Putinit, teksa iu referua largimit të fundit të reformatorit të njohur postsovjetik, Anatoly Chubais, nga posti i të dërguarit të posaçëm të Putinit për zhvillim të qëndrueshëm.
“Ekziston një supozim i rremë dhe madje i çuditshëm se rrethi i ngushtë i Putinit do të fillojë të distancohet prej tij. Kjo nuk do të ndodhë. Chubais gjithsesi nuk ishte anëtar i këtij rrethi të ngushtë. Ai nuk do të mungojë askujt sepse më nuk ishte i rëndësishëm, dhe nuk ka qenë i rëndësishëm për vite me radhë. Praktikisht, ai ka qenë relikt i epokës së shkuar. Nëse do të kishte pasur ndonjë vlerë për Kremlinin, ai nuk do të lejohej të ‘ikte’”, tha Pavlovsky.
Raportimet e pakonfirmuara kanë thënë se Chubais është larguar nga Rusia dhe besohet se ka shkuar në Turqi.
Por, kjo nuk do të thotë se Putini nuk do të përballet me kërcënime ndaj pushtetit të tij, duke mos përjashtuar kërcënime nga rrethi i tij i ngushtë, shtoi Pavlovsky.
“Ata nuk janë idealistë, ata kanë projektimet e tyre për fronin. Ata që të gjithë po presin për momentin e tranzicionit. Dhe kjo realisht e bën nervoz Putinin, sepse ai është i rrethuar nga njerëz që e duan fronin e tij. Posaçërisht nëse merret në konsideratë se shumica e punëve të udhëheqjes së shtetit në baza ditore, nuk bëhet nga ai”, tha Pavlovsky. “Nëse ndokush mendon se Putini ulet dhe qeverisë me ekonominë e shtetit, me jetën publike, atëherë kjo është qesharake. Putini realisht nuk është njeri punëtor”, shtoi ai.
Duke kujtuar kohën kur punonte me Putinin, Pavlovsky tha se ka disa pendesa.
“Ajo për të cilën pendohem është se e kam fikur trurin tim prej analisti gjatë asaj kohe dhe në njëfarë mënyre ia kam dhuruar ‘pronësinë e trurit tim Kremlinit dhe Putinit’”, shpjegoi ai.
“Tani e kuptoj se duhet të kisha pasur një perspektivë më të gjerë të çështjeve, se do të duhej të kisha njohur tiparet e sistemit që po ndërtonim. Putin është një fëmijë i këtij sistemi. Putin do të largohet, në një mënyrë ose në një tjetër, por sistemi do të qëndrojë”./rel