Fjalë Kyçe

Ish-kryeprokurori thotë se hetimet për sulmin në “Ibër Lepenc”, mund të zgjasin më shumë se dy vite

Ish-kryeprokurori thotë se hetimet për sulmin në “Ibër Lepenc”, mund të zgjasin më shumë se dy vite

Më 29 nëntor të vitit 2024, në pjesën veriore të Kosovës në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim i fuqishëm në kanalin e “Ibër Lepencit”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Incidenti i cili ndodhi në veriun e vendit ka ngjallur reagime të shumta nga autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

Sulmi ka mundur të rrezikoj furnizimin me ujë dhe energji elektrike, por pavarësisht dëmtimit që ishte shkaktuar tek kanali ai u rindërtuar brenda një muaji.

Nga ky rast disa të dyshuar janë marrë në pyetje, derisa vetëm dy prej tyre janë në paraburgim: Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq.

Hetimet për autorët dhe motivet e këtij akti të dhunshëm janë ende duke vazhduar, derisa tash e dy muaj nuk ka asnjë detaj lidhur me këto hetime që po zhvillohen për sulmin në “Ibër Lepenc”.

Njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se vonesa e hetimeve për sulmin në veri do të zgjasë ende, pasi rasti ka qenë i rëndë dhe i duhet kohë Prokurorisë për ta zbuluar në detaje rrethanat se si ka ndodhur.

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha në një prononcim për “Front Online” ka vlerësuar se rasti i sulmit në “Ibër Lepenc” do të marrë kohë për hetim.

Sipas tij, kjo mund të zgjasë deri në 2 vite e gjysmë.

“Ky rast ka qenë i rëndë dhe do të marrë kohë për hetim dhe varet nga rrethanat e rastit se si ka ndodhë personave të dyshuar etj. Hetimet në raste të tilla zgjasin deri 2 vjet e gjysmë, po varet se si do të shkojë ky rast”, deklaroi Hoxha.

Hoxha tregon se me përveç prokurorit të rastit, askush se ka mbikëqyrjen e këtyre rasteve të rënda.

“Prokurori i çështjes e dinë më së miri se si është duke shkuar rrjedha e hetimeve lidhur me sulmin në Ibër Lepenc, pasi që janë hap hetimet. Prokurori i ka nën mbikëqyrje ato dhe çdo veprim që ndërmerret me autorizimin të Prokurorit të çështjes askush se ka mbikëqyrjen e këtyre rasteve përveç prokurorit”, tha Hoxha.

Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj thotë se kjo çështje është në dorën e Prokurorisë, derisa thekson se edhe FBI është duke i dhënë ndihmë Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Sulmi në Ibër-Lepenc është çështje e prokurorisë, ku në këtë rast janë të arrestuar dy persona deri me tani. Si e ka përmendur edhe ambasadori amerikan në këtë çështje është duke e ndihmuar Kosovën edhe FBI”, thotë Miftaraj.

Miftaraj vlerëson se Qeveria nuk duhet të ekspozon informata lidhur me sulmin në veri për ta ruajtur konfidencialitetin e hetimeve.

“Në këtë drejtim, sa më pak që qeveria e Kosovës ekspozon informata lidhur me këtë rast është më mirë që të ruhet konfidencialiteti dhe integriteti i hetimeve”, shprehet ai.