Prokuroria Themelore në Ferizaj së bashku me Policinë e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me aksionin i cili është zhvilluar mëngjesin e sotëm në komunën e Shtërpcës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka thënë se janë kontrolluar 11 lokacione në tri rajone të ndryshme.
“Pjesë e bastisjes ka qenë edhe Kuvendi Komunal në Shtëprcë, zyra e kadastes dhe ajo e urbanizimit”, ka njoftuar Jashari.
Ai tha se ish kryetari i Shtërpcës së bashku me disa persona të tjerë janë ndaluar me urdhër të prokurorit për 48 orë nën dyshimin e bazuar për korrupsion, marrje dhe dhenië të ryshfetit.
Ndërsa prokurori i çështjes Rasim Maloku ka thënë se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, dyshohet se ka marrë disa villa si dhuratë, vetura e gjëra tjera në vlerë rreth 1 milion euro për lëshimin e lejeve.
Ndërsa përfaqësuesi nga Policia e Kosovës ka thënë se hetimet në lidhje me rastin fillimisht kanë nisur në vitin 2019 e pastaj janë zgjeruar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar: Mbi 61 mijë euro, një pushkë ajrore, 4 pistoleta, 2 pushkë gjuetie, mbi 500 fishekë, karikator, 21 thika, 8 vetura në vlerë rreth 300 mijë euro dhe gjësende tjera./indeskonline