Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë se BE e ka obligim t’i integrojë Kosovën dhe Serbinë në Bashkimin Evropian, si bazë për stabilitet të qëndrueshëm.
Rasmussen ka thënë se nuk dëshiron të komentojë marrëveshjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës për shitjen e 246 raketave të tipit “Javelin” dhe nëse ky është një sinjal për Beogradin.
“Nuk do të komentoj për dërgesat specifike të armëve, por në përgjithësi do të thosha se mendoj që duhet të bëjmë një përpjekje shtesë për të integruar të gjitha vendet e Ballkanit në strukturat euroatlantike”, tha ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe).
“Në veçanti, Bashkimi Evropian e ka obligim që të përpiqet të integrojë Serbinë, si dhe Kosovën, në Bashkimin Evropian. Ne kemi parë në të kaluarën se kjo është baza për paqe dhe stabilitet më të qëndrueshëm në kontinentin evropian”, tha Rasmussen, transmeton Telegrafi.
Vendimi i Amerikës për furnizimin e Kosovës me raketa antitank shkaktoi reagime.
Pasi ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e njoftoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave antitank “Javelin”, Vuçiq deklaroi se ky informacion e konsideron si një zhgënjim i madh – foli edhe Moska.
“Mesazhi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd se Kosova është miratuar për shitjen e raketave ‘Javelin’ është në fakt një imperativ për t’u menduar mirë përpara se të përfshihen në veprime që mund të përshkallëzojnë tensionet”, tha Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington dhe organizatës IDEAS në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.
Ai shtoi se blerja e raketave “Javelin” është një mënyrë kyçe dekurajuese, si një sinjal i një reagimi të fortë ndaj të gjitha provokimeve të mundshme nga regjimi i Vuçiqit.