Fjalë Kyçe

Ish-të burgosurit politikë ende presin për kompensim

Ish-të burgosurit politikë ende presin për kompensim

Që nga marsi i vitit 2013 e deri më sot, Komisioni për njohjen e statusit të dënuarve politik dhe ish-të burgosurve politikë, nuk ka arritur ende që të përfundojë kompensimin e kësaj kategorie.

Përkundër dhembjes dhe maltretimeve që dikur patën nga regjimi serb, ish-të dënuarit dhe të burgosurit politikë në Kosovë janë kategori e diskriminuar.

Edhe pse Rregullorja për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish të dënuarve politik është nxjerrë në mars të vitit 2013, me ç’rast është themeluar edhe Komisioni për njohjen e statusit të dënuarve politik dhe ish-të burgosurve politikë, kompensimi i kësaj kategorie nuk ka përfunduar ende.

Metro ka kontaktuar me disa persona që kanë qenë ish-të burgosur dhe të dënuar politik në regjimin serb dhe që kanë pohuar se ende nuk kanë marrë as edhe një cent nga buxheti i cili është ndarë për ta.

Personat që kanë kontaktuar me ne kanë qenë te burgosur dhe të dënuar politik, që kanë vuajtur dënimin gjatë luftës në Kosovë në burgun e Dubravës, Nishit, Prizrenit dhe Prokuple.

Sipas njërit prej të burgosurve politik që vjen nga Suhareka, e që ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se edhe pse ka plotësuar të gjitha aplikacionet e kriteret, ai ende nuk ka marrë kompensimin që i takon.

“Ende nuk kam marrë kompensim nga Qeveria nga buxheti që është ndarë për kategorinë tonë. Kam hap xhirollogari bankare dhe na patën thënë se kategoria e të burgosurve politik gjatë vitit 1998-99 do të kompensohet në tre muajt e parë të vitit 2019, mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe jemi në pritje”, ka thënë ky ish- i burgosur politik për Metron.

Mirëpo këta ish-të burgosur e të dënuar politik, thonë se ata dëshirojnë dëmshpërblim nga Serbia e cila ka kryer krime, e jo nga Qeveria e Kosovës.

“Serbia ka bërë krime, e na ka maltretu, jo Qeveria jonë. Kjo është shumë simbolike për ne nga shteti jonë, ama na dëmshpërblimin e dëshirojmë nga shteti serb”, ka thënë një tjetër ish i dënuar politik, për Metron, që edhe ky ka dashur të mbetet anonim.

E për një ditë të kaluar në burg, ish-të dënuarit politikë kompensohen me 16.70 euro, shumë kjo simbolike që shteti ka ndarë për këtë pjesë të shoqërisë.

Ligji parasheh tri kategori: kategorinë e të dënuarve politik, të cilët kompensohen, dhe kategorinë e të burgosurve politik që nënkupton se personi është i dënuar më pak se 60 ditë dhe kategorinë e të përndjekurve dhe kategorinë e të përndjekurve politik, kategori të cilat nuk kompensohen.

Ndërkaq Qeveria kishte ndarë 55 milionë euro për kompensimin e 4 mijë e 197 ish-të dënuar, mirëpo kishin aplikuar 12 mijë persona.

Sekretari i Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve politik dhe ish të burgosurve politik, Shefik Sadiku, në qershor të këtij viti pati treguar shifrat e kësaj kategorie që janë kompensuar nga vitit 2014 deri në vitin 2018.

“Për vitin 2014, janë kompensuar 219 ish të dënuar; për vitin 2015 – 417; për vitin 2016 – 555, për vitin 2017 – 607 dhe për vitin 2018 – 636 ish të dënuar”, pati shpjeguar Sadiku.

Në këto vite nga shuma e përgjithshme prej 55 milionë, janë shpenzuar 43 milionë e 618 mijë e 957.06 euro, që lë të nënkuptohet që kanë ngelë të pa shpenzuara edhe 11 milionë e 381 mijë e 42.94 euro

Ndryshe, Rregullorja për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish-të dënuarve politik është nxjerrë në mars të vitit 2013, ndërsa një numër i madh i ish-të burgosurve politikë ende vazhdojnë të jenë në pritje.