Fjalë Kyçe

Ish trajneri i Prishtinës: Josa erdhi me bujë, por pritjet nuk u realizuan

Ish trajneri i Prishtinës: Josa erdhi me bujë, por pritjet nuk u realizuan

Për ish-trajnerin e Prishtinës, Sami Sermaxhaj, eliminimi nga Liga e Evropës ka qenë befasi e madhe.

Ai po beson se drejtuesit e klubit do të arrijnë shpejt të dalin nga kjo situatë.

Sipas Sermaxhajt, ardhja në krye të ekipit të Mirel Josës u prit me entuziazëm pasi ishte trajner shumë i njohur, por ja që rezultatet po mungojnë.

“Krerët e Prishtinës kanë angazhuar një trajner me përvojë, i cili kishte suksese të mëdha edhe në Superligën shqiptare, por edhe në garat evropiane. Mendoj se qëllimi ka qenë që ato suksese t’i përsërisë edhe me Prishtinën, por fatkeqësisht nuk u realizuan pritjet”, ka thënë për gazetën “Zëri” Sermaxhaj sipas të cilit klubi bardhekaltër udhëhiqet nga njerëz më përvojë dhe beson se ata do të gjejnë shpejt zgjidhjen më të mirë për këtë skuadër.

“Kryesia e Prishtinës është me përvojë, trajneri gjithashtu është me përvojë dhe shpresojmë të bëjnë zgjidhjen, e cila do të jetë më e mira për klubin, për qytetin dhe për mbarë futbollin kosovar, ngase Prishtina duhet të përfaqësojë denjësisht futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Sami Sermaxhaj.