Fjalë Kyçe

Ismaili ka në plan rrënimin e objekteve të Policisë dhe MPB-së për të ndërtuar park

Ismaili ka në plan rrënimin e objekteve të Policisë dhe MPB-së për të ndërtuar park

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se një ndër projektet që e ka në zemër është krijimi i një parku në qendër të qytetit, duke rrënuar ndër tjera objektin e Policisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Qendra e Paraburgimit është planifikuar të rruhet si muze.

Në “Zgjedhjet në KOHË” ai ka thënë se qytetarët e Prishtinës kanë nevojë për një park tjetër dhe se planifikon një park të madh rreth 8 hektarë.

“Mendoj se duhet larguar disa objekte, siç është ai i Policisë. Duhet vendosur në vende tjera në Prishtinë. Ka mjaft hapësirë ku mund të ofrohet. Duhet të kesh vizion. Krejt kjo qendër e madhe e Prishtinës, nuk është asnjë park. Qendra duhet të ketë një park të madh, rreth 8 hektarë. Paramendoni veten se je në punë, studime, e ke hapësirë tetë hektarë mes qytetit. Unë dal për vrap shpesh në Gërmi, por është e pamjaftueshme për një qytet të madh si Prishtina, të ketë vetëm një Gërmi e një Park Qyteti, që shfrytëzohet kryesisht vetëm nga banorët e asaj zone. Nuk mundesh gjithmonë të dalësh në Gërmi në drekë, pas dreke në ora 17:00. Stadiumi do të mbetet, e do t’i shtohet vlera, pasi do të ketë gjelbërim rreth tij, siç është në afërsi të stadiumeve tjera nëpër botë. Pjesa e parkingut të Boro Ramizi bëhet park. Është hapësirë e madhe prej betoni këtu. Jemi ngopur me beton e kemi nevojë me qenë vizionar e guximtar se ne po kërkojmë diçka për vete”, ka thënë Ismaili. “Për mua është projekti që e kam për zemër, pasi e ndërron pak mënyrën se si e ndjejmë Prishtinën”.

Ai ka thënë se kundërshtime mund të ketë, por do të jenë më pak se që mendohet.

“Mendoj se njerëzit e kuptojnë se në qendër të Prishtinës disa shërbime nuk kanë nevojë të jepen. Kur e dizajnon Prishtinën që të jepen qindra e mijëra shërbime, atëherë po sjellë njerëz atje dhe rrjedhimisht edhe vetura. Nuk ka nevojë të gjitha të jenë në qendër. Rezistencë do të ketë më pak se që njerëzit mendojnë. Ku duhet diskutuar do të diskutojmë, është e mirë e të gjithëve. Nuk po them se do të bëjmë ndërtesa, do t’i bëhet një shërbim gjithë njerëzve të Prishtinës”, thotë Ismaili.