Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismajli, ka bërë të ditur se ka iniciuar projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave.
Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës e ka kritikuar Qeverinë se nuk është duke bërë punë të mjaftueshme për të rregulluar këtë problem që sipas tij i prek qytetarët e vendit për vite me radhë.
“Dhjetë milionë euro më shumë brenda vitit qytetarët e vendit paguajnë për blerjen e barnave brenda vitit, qytetarët e Kosovës ende blejnë barna më shtrenjtë se shqiptarët në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Qytetarët blejnë barna me çmime të ndryshme natën dhe ditën si dhe me çmime të ndryshme në fshatra dhe në qytete. Sa më i varfër që është qytetari aq më i madh është halli dhe aq më shumë rriten çmimet e barnave”.
“E ftoj ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Qeverinë që të mos vonojnë këtë ligj, ata duhet të përkrahin këtë ligj, duhet të ruajmë gjepin e qytetarëve. Në Kuvend dhe në ministri duhet të kalojë ky ligj. Unë e kam punuar një draft që do të ja dorëzojë ministrit Vitia si dhe Qeverisë”, ka thënë Ismajli.
Ai ka shtuar se sa ishte ministër i Shëndetësisë e ka nënshkruar një udhëzim administrativ për të rregulluar këtë problem, por sipas tij ai nuk është zbatuar nga ministrat pas tij.