Fjalë Kyçe

Ismet Munishi: Kjo ishte ndër disfatat më të thella në karrierë

Ismet Munishi: Kjo ishte ndër disfatat më të thella në karrierë

Vëllaznimi i Ismet Munishit e ka ngritur ‘flamurin e bardh’ qysh në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së DigitAlb Kupës së Kosovës, derisa është turpëruar në shtëpi nga Trepça ’89 (4-0).

Për trajnerin e kësaj skuadre Ismet Munishi, kjo ishte njëra ndër humbjet më të thella në karrierë dhe shumë vështirë e pranueshme.

“Kjo ishte njëra ndër humbjet më të thella në karrierën time. Më vije keq shumë prej tifozëve që sot ishin në numër të madh dhe ne i zhgënjyem, atyre dua tu kërkoj të falur. I pranuam dy gola shumë të lirë dhe më pas tentuam që të riktheheshim për të realizuar të paktën një gol apo edhe golin e barazimit. Kjo na kushtoi, pasi që Trepça ’89 me dy kundërzbritje na dënoi sërish”, deklaroi Munishi për ‘Super Sport Kosova’.

Më tej Munishi ka folur edhe për objektivin e mbetur të Vëllaznimit, rikthimin në elitë, teksa thekson se kjo humbje do të ndikojë jashtëzakonisht shumë.

“Kjo humbje sigurisht se do të ndikojë edhe në gjendjen psikologike te futbollistët, por unë do të punoj me ta dhe do të luftojmë fuqishëm deri në fund për ta rikthyer Vëllaznimin në Superligë”, deklaroi Munishi.

Aktualisht Vëllaznimi ndodhet në pozitën e katërt të renditjes tabelare në Ligën e Parë dhe buzë eleminimit nga gara për DigitAlb Kupën e Kosovës.