Fjalë Kyçe

Ismet Munishi komenton deklaratat e Batatinës

Ismet Munishi komenton deklaratat e Batatinës

Në fundjavë u zhvillua java e 31-të në Superligën e Kosovës.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” spikati derbi mes Prishtinës dhe Llapit, të cilin e fitoi skuadra e Mirel Josës me rezultat 1:0.

Ndërkaq, trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi e ka analizuar këtë ndeshje e në veçanti deklaratën interesante të Tahir Batatinës pas ndeshjes së lartëcekur.

“Deklaratat pas lojës tregojnë për emocionet. Po shoh që po sulmohet shumë Batatina dhe për vetë faktin se po flasim për të, është dikushi dhe ka bërë një punë”, tha Munishi në ‘Dueli Sportiv’.

“Nuk është interesante t’i vlerësojmë deklaratat e Tahirit sa është interesant ta vlerësojmë Llapin për paraqitjet e tyre. Tahiri i ka dhënë krah klubit edhe si trajner edhe si donator”, vlerësoi Munishi.

“Por tani është koha që futbolli të kalojë në një nivel tjetër. Klubet duhet të organizohen më mirë që prej fillimit të edicionit, ka pasur shumë lëshime”, pohoi ai.

“Sikurse Llapi ta kishte qetësinë nga fillimi, ndoshta do të ishte më lartë. Në këtë formë e vlerësoj kontributin e Batatinës. Me deklaratat provokative të tij, arriti të mbushet stadiumi”, theksoi trajneri kosovar.

“Ishte një ndeshje me gjashtë gjyqtarë, por ndeshja nuk arriti pritshmëritë në nivelin e lojës”, shtoi Ismet Munishi.