Fjalë Kyçe

Ismet Munishi tregon si e eliminoi ish-skuadrën e tij

Ismet Munishi tregon si e eliminoi ish-skuadrën e tij

Vëllaznimi i Ismet Munishit, është kualifikuar në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, pasi e ka mposhtur Besën, pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa koha e rregullt dhe vazhdimet dy herë nga 15 minuta përfunduan me barazimin 0:0.

Tekniku prishtinas, i cili më parë ka drejtuar edhe Besën e Pejës, tha se ka pritur një ballafaqim te vështirë me skuadrën pejane.

“Kemi pritur ndeshje të vështirë, sepse Besa është skuadër me shumë traditë dhe ka lojtarë cilësorë. Fati ynë ishte që unë i njoh mirë, sepse kam punuar te Besa.  Në disa momente Besa ishte më e mirë se ne, por i ndërpremë në pikat e tyre më të forta”, ka thënë Munishi për Super Sport Kosova.

Në çastet e fundit ai bëri ndërrim në portën e skuadrës së tij, duke e larguar Altik Muhaxhirin dhe në vend të tij u inkuadrua Alban Gecaj. Ndryshimi doli të jetë i qëlluar, pasi Gecaj e ndali një penallti, ndërsa dy futbollistë të Besës gjuajtën mbi portë.

“Pritja e penalltive është diçka specifike dhe gjatë stërvitjeve unë e kam vërejtur që Gecaj është i mirë në këtë pikë. Sidoqoftë, ishte një fitore e ëmbël që na jep shpresë për një të ardhme me suksese”, ka shtuar Munishi.