Fjalë Kyçe

Isufi tregon se a i kërkua dorëheqja Kryeministrit Haradinaj

Isufi tregon se a i kërkua dorëheqja Kryeministrit Haradinaj

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po përballet me presione të shumta të cilat vijnë nga faktori ndërkombëtarë por edhe ai vendorë.

Taksa e vendosur për mallrat serbe dhe boshnjake, ka ngritur dyshime se ajo mund të bëhet “mollë sherri” për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Haradinaj.

Por një gjë të tillë e mohon nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

Ai për Ekonomia Online thotë se kryeministrit të vendit, nuk i është kërkuar të dorëhiqet nga posti i kreut të ekzekutivit, për shkak të taksës.

Sipas tij, Qeveria le të rrëzohet nga 61 vota me anë të mocionit në Kuvend, nëse dikush mund të arrijë t’i sigurojë. “Jo, nuk është bërë një kërkesë e tillë nga askush.

Por, atë ditë që i bëjnë 61 vota kushdo, mundet ta kërkojë mocionin e mosbesimit për Qeverinë dhe normalisht që kur i kanë votat as nuk na pyesin, e kryejnë punën”, tha Isufi.

Numri dy i AAK-së, pohon se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë. Sa i përket deklarimeve kundërthënëse të partnerëve të koalicionit, ai i sheh si normale përderisa një Qeveri udhëhiqet nga disa parti të ndryshme.

“Koalicioni është duke funksionuar mirë, përkundër disa nuancave që ekzistojnë ndërmjet partive politike dhe për atë janë parti të ndara por që koalicionet lidhen zakonisht për interesa politike, institucionale për shoqërinë e Kosovës. Kur kemi parasysh këto interesa, ka edhe nuanca por me rëndësi është se vendimet janë të Qeverisë, janë të përbashkëta dhe në vazhdimësi kemi vendime që merren me shumicë dhe përcaktojnë vijën programore të kësaj Qeverie”, u shpreh Isufi për Ekonomia Online.

Raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Isufi thotë se nuk janë ndërtuar për një ditë, andaj sipas tij, ato janë tradicionale dhe të fuqishme. Isufi tha se krerët e shtetit, nuk mund të tërhiqen nga vendimet e tyre, përderisa shton se Kosova nuk mund të bëhet mall kusuritje për të tjerët në rajon.

Ai i kërkon ShBA-së, t’i bëjë presion Serbisë. “Por, nuk bën të tërhiqemi ne nga vendimet tona për shkak se nuk mund të bëhemi ne vazhdimisht mall kusuritje për të tjerët në rajon. Kjo kërkohet nga ana e Kosovës por nuk po i bëhet trysni Serbisë, nuk po i bëhet trysni politikës së Vuçiqit e Daçiqit e të tjerëve, të cilët po e ndjekin të njëjtën politikë të Millosheviqit. Duhet njëherë shkaktari të akuzohet dhe të ndalet, Kosova edhe ashtu është drejt integrimeve evropiane e përcaktuar, është pro perëndimore, pro amerikane, madje populli më pro amerikan në Ballkan dhe interesi i ShBA është që të jetë me Kosovën, të jetë me shqiptarët dhe të ketë një strategji të veçantë në Ballkan. Kjo kundërvënie është kundër Serbisë, kundër Rusisë. Kështu duhet të kuptohet dhe çdo kundërvënie ndaj Rusisë në këtë moment është pro”,

shtoi Isufi. Qëndrimin e shefit të tij për taksën, e ka ripërsëritur edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.

Ai tha se taksa jo vetëm që nuk do të hiqet, por ka paralajmëruar edhe masa të tjera kundrejt Serbisë.

“Jo vetëm që do të qëndrojë taksa deri në njohje por ndoshta do të shtohet edhe masa të tjera ndaj Serbisë sepse ajo nuk po zbaton një pjesë të madhe të marrëveshjeve të cilat janë arrit në Bruksel. Nuk po e zbaton marrëveshjen e energjisë, marrëveshjen e diplomave, e targave e disa të tjera të cilat i ka obligim Serbia, madje deri te dëmet e luftës dhe kërkimi i faljes”, pohoi Isufi.

Ai dha porosi për opozitën, parti të cilat po kërkojnë shkuarjen e vendit në zgjedhjet e parakohshme. Ai tha se zgjedhjet i prolongojnë shumë procese të vendit, por pohon se AAK-ja nuk i frikësohet zgjedhjeve.

“Kurdo që mund të mbahen zgjedhje, neve nuk na frikësojnë, përkundrazi ne jemi të përgatitur në çdo moment që mund të mbahen, megjithatë nuk shohim ndonjë atmosferë tani për zgjedhje, për shkak se as opozita e cila po thirret në zgjedhje nuk është e gatshme për shkak të problemeve që i kanë në funksionimin e tyre. Po ashtu, në koalicion konsiderojmë që ka një funksionim jashtëzakonisht të mirë me vendimet që merren në t5ë shumtën e herëve unanime në Qeveri”, tha Isufi.

Ideja për një Qeveri gjithëpërfshirëse, Isufi tha se nuk dihet se çka mund të prodhojë, duke marrë faktin që aktualisht ka një politikë jo të harmonizuar në vend.

“Por, që të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse nuk e dimë çka do të prodhojë ajo qeveri, meqë kemi të bëjmë me një politikë jo të harmonizuar sepse me vet faktin që nuk janë të gatshëm të hyjnë në ekipin për Dialogun dhe të marrin pjesë në proceset që i ka Kosova përpara, tregojnë që edhe po të jetë një qeveri gjithëpërfshirëse nuk do të kishte asnjë dobi Kosova në këtë mënyrë, sepse s’ka kush e bën edhe atë qeverinë gjithëpërfshirëse”

Sa i përket riformatimit të Qeverisë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se nuk është momenti i tillë, që bisedohet për një gjë të tillë, ndërsa bashkëpunimin me PSD-në e ka quajtur mjaftë të mirë.

“Nuk është në këtë moment kjo temë, sepse koalicioni është duke funksionuar mirë. Është e drejtë e partive të cilat mendojnë se duhet të jenë pjesë e koalicionit, nëse ofrojnë mundësi të tillë, pse jo. Por, deri tani nuk kemi një kërkesë të tillë, përkundrazi kemi bashkëpunim më të mirë, p.sh. me PSD-në e cila është më e gatshme të votojë vendime të rëndësishme për Kosovën, janë treguar shumë stabil në këtë drejtim”, tha Isufi.

Qeverinë aktuale, Isufi e ka vlerësuar tejet të suksesshme, duke përmendur shumë ligje të cilat janë bërë për herë të parë në Kosovë. Taksën ndonëse të kontestuar nga shumë faktorë, Isufi e ka vlerësuar si sukses të qeverisë Haradinaj.