Fjalë Kyçe

Iu gjet një granatë dore në shtëpi, dënohet me 800 euro gjobë një person në Gjilan

Iu gjet një granatë dore në shtëpi, dënohet me 800 euro gjobë një person në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, Millosh Arsiq, duke e dënuar me 800 euro gjobë pasi në vitin 2014 iu gjet një granatë dore në shtëpinë e tij.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga gjyqtari Islam Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pandehurit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i mjetit eksplodues-një granate dore.

Ndryshe, gjatë shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori, Agron Uka, i akuzuari Millosh Arsiq është deklaruar fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohet.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit, i cili i ka propozuar gjykatës që sa i përket veprës penale për të cilën akuzohet i akuzuari të merren parasysh të gjitha rrethanat si lehtësuese edhe rënduese në mënyrë që dënimi të jetë i arsyeshëm.

I pandehurit Millosh Arsiq ka deklaruar që pendohem për veprën penale dhe se i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëris vepra tjera penale, duke kërkuar shqiptimin e një dënimi sa më të butë.

Sipas aktakuzës, në kohë të pavërtetuar më parë, i pandehuri Millosh Arsiq pa autorizim ka poseduar dhe mbajt në pronësi mjet eksplodues – një granatë dore, ashtu që gjatë një kontrolli rutinor nga ana e njësitit të krim-teknikës rajonale si dhe njësiti i dominimit IEDD, më 21 mars 2014, në shtëpinë e tij në fshatin Livoç i Epërm, Komuna e Gjilanit, në një dhomë ku mbante ushqimin për kafshë, është gjetur dhe është asgjësuar një mjet shpërthyes – një granatë dore.

Me çka i pandehuri, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.