Izraeli njoftoi të premten (22 tetor) se i ka shpallur si terroriste gjashtë organizata palestineze të shoqërisë civile duke i akuzuar ato se i kanë orientuar ndihmat e donatorëve në duart e militantëve.
Masa autorizon autoritetet izraelite që të mbyllin zyrat e këtyre organizatave, të konfiskojnë asetet e tyre dhe të arrestojnë stafin e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar, u tha në një deklaratë të përbashkët të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch dhe Amnesty International.
Të dyja këto organizata e dënuan veprimin e Izraelit, transmeton Reuters.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se gjashtë grupet palestineze kishin lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PLFP), një fraksion i krahut të majtë që ka kryer sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
“Organizatat e deklaruara morën shuma të mëdha parash nga vendet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare, përmes një sërë falsifikimesh dhe mashtrimesh”, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë, duke pretenduar se përmes parave që kishin marrë këto organizata kanë mbështetur aktivitetet e PFLP-së.
Ndër organizatat e ndaluara janë edhe Al-Haq dhe Addameer, që njihen si grupet kryesore palestineze për të drejtat e njeriut.
Këto organizata monitorojnë shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut nga Izraeli dhe Autoriteti Palestinez i mbështetur nga Perëndimi, i cili ka vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor.
I pyetur për të komentuar masën, Kayed Al-Ghoul, një zyrtar i PFLP-së, i cili është në listën e zezë të terrorizmit të Bashkimit Evropian, nuk hodhi poshtë plotësisht lidhjet me gjashtë organizatat, duke shtuar se ata mbajnë marrëdhënie me organizatat e shoqërisë civile në të gjithë Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Organizata Al-Haq nuk bëri komente ndërsa Addameer dhe një organizatë tjetër që është në listë, Defense for Children International – Palestine, hodhën poshtë akuzat izraelite si një “përpjekje për të eliminuar shoqërinë civile palestineze”.
Human Rights Watch dhe Amnesty International thanë se “vendimi është një përshkallëzim alarmues që kërcënon të mbyllë punën e organizatave më të shquara të shoqërisë civile palestineze”.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Palestinezët i kërkojnë këto territore për një shtet të ardhshëm./rel