Izraeli është vendi që me ritmin më të shpejtë është duke vaksinuar popullatën e atjeshme me vaksinat kundër koronavirusit, e së fundmi Ministria e Shëndetësisë së Izraelit ka prezantuar edhe “pasaportën e imunizimit”, që do të merret nga çdo person që injekton dozën e dytë të vaksinës.
Siç raporton CNBC, pasaportën e imunizimit, autoritetet në këtë vend e quajnë si librezën e gjelbër – ku kjo metodë do të jetë një lloj certifikate që konfirmon se personi është vaksinuar.
Përveç kësaj, kjo librezë e gjelbër, personave të vaksinuar do t’ju ofrojë liri të plotë nga kufizimet e sigurisë në luftën kundër koronavirusit. Të gjithë ata që posedojnë një librezë të tillë nuk do të jenë të obliguar të futen në izolim pas kontaktit me personat e infektuar, si dhe pas udhëtimeve ndërkombëtare në “zonat e kuqe” apo në ato vende që kanë përqindjen e lartë të infektuarve.
Gjithashtu nuk do të duhet t’u nënshtrohen testeve me rastin e hyrjes në vendet që i vizitojnë. Megjithatë, nga ata ende do të kërkohej që të bartin maskë në hapësira publike, të respektojnë distancën fizike dhe të shmangin tubimet publike.
Të gjithë ata që posedojnë pasaportën e imunizimit, nuk do të ballafaqohen me masa e rrepta të kufizimeve në mbarë botën. Kjo certifikatë e vaksinimit do të regjistrohen në bazën e të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, kurse pacientët e shëruar që nuk janë vaksinuar, nuk përmbushin kriteret për marrjen e kësaj pasaporte.
Izraeli është duke ecur me hapa të shpejtë sa i përket procesit të vaksinimit dhe kështu për më pak se një muaj ka arritur të vaksinojë rreth 20 për qind të popullatës (nëntë milionë banorë), ku mbi 72 përqind e të moshuarve mbi 60 vjet kanë marrë vaksinën.
Autoritetet izraelit planifikojnë që deri në mars të vaksinojnë 5.2 milionë qytetarë, me qëllim që të bëhen gati për dalje nga pandemia dhe të punojnë në rimëkëmbjen ekonomike.