Fjalë Kyçe

Ja çfarë thotë Spalletti pas fitores dramatike te Interit

Ja çfarë thotë Spalletti pas fitores dramatike te Interit

Luciano Spalletti mund të buzëqeshë, madje të jetë i ekzaltuar pas kësaj fitoreje kundër Napolit, të ardhur në frymën e fundit, sepse trajneri rigjeti jo vetëm Interin që ai kërkon të shohë gjithmonë, por edhe një lojtar të rigjetur si Lautaro Martinez.

“Nga minuta e parë e deri tek e fundit pashë në aksion një Inter shumë të fortë, që më jepte besim se do të merrnim tri pikë dhe në fund i merituam ato. Është e qartë që një ndeshje si kjo, të cilën kërkuam ta fitonim me çdo kusht, edhe mund ta kishim humbur në fund, pa atë pritje madhështore të Azamoahs, por pikërisht këto episode janë ato që e bëjnë edhe më të bukur këtë sport”, shprehet trajneri “zikaltër”, që në lidhje me golin e Lautaro Martinezit nënvizon. – Në javën e fundit kam rigjetur Lautaron që unë dua të shoh gjithmonë.

“Ka punuar fort në stërvitje, pasi e kishte kuptuar se në ndeshjet e fundit kishte zbritur me mentalitetin e gabuar në fushë. Tundimi për ta hedhur më shpejt në fushë ndaj Napolit ishte i madh, por duke parë zotërimin e topit që nisën të bëjnë kundërshtarët dhe sesi u hap ndeshja, ishte e pamundur të hiqja dorë nga një mesfushor, nëse Kulibali nuk do të dilte me të kuq. Por sapo zbriti, Lautaro tregoi cilësitë që ka, agresivitetin që di të shfryjë kur është në zonë dhe mendoj se e meritonte këtë gol, i cili na dha të gjithëve një fitore të merituar”, tha Spalletti.

Në fund, për sa i përket çështjes “Nainngolan”, duket se suksesi ndaj Napolit ka zbutur atmosferën në skuadër dhe nervozizmin e vetë Luciano Spallettit.

“Razah” e ka kuptuar atë që ka bërë. Ai e di mirë se brenda dhomave të zhveshjes ka rregulla specifike dhe unë ua bëj të ditur drejtuesve nëse dikush nuk i respekton. Por, në të njëjtën kohë jam i bindur se ai e ka kuptuar gabimin dhe të shtunën do të rikthehet me skuadrën për ndeshjen kundër Empolit”.