Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë kualifikuese kundër Bullgarisë, të cilën do ta zhvillojë të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, shkruan Gazeta Alo.
Pas seancës së sotme stervitore ka folur Arbër Zeneli.
Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë.
Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100 përqindshin tonë.
Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi. Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar si ekip.
Secili futbollistë po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha. /Gazeta Alo