Fjalë Kyçe

Jasharaj kërkon rritje të pagave: Murati deshi t’ua ndalë mësimdhënësve bukën e gojës

Jasharaj kërkon rritje të pagave: Murati deshi t’ua ndalë mësimdhënësve bukën e gojës

Të mërkurën në orën 12:30 do të mbahet protesta e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Prishtinë. SBASHK-u ka njoftuar se në mesin e kërkesave janë ngritja e pagave, nënshkrimi i kontratës kolektive dhe diskutimi me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat kanë premtuar shumë, por s’e respektuan zërin sindikal dhe “paralizuan dialogun e mirëfilltë”.

Ai ka shtuar se ministri i Financave, Hekuran Murati, do të kujtohet si person që deshi t’ua ndalte bukën e gojës mësimdhënësve “pse kërkuan mundësinë për një kafshatë bukë më shumë”.

“Ministri Murati do të kujtohet në kujtesën e punëtorëve të arsimit si personi që deshi t’ua ndalë bukën e gojës, pse kërkuan mundësinë për një kafshatë bukë më shumë. Në betejën e vazhdueshme të Qeverisë me SBASHK-un mori pjesë aktive edhe ministrja Nagavci, ajo u mbush me inat pse SBASHK është kaq unik u angazhua për ta dobësuar SBASHK-un, por kurrë nuk ia arriti”, është shprehur Jasharaj.

SBASHK-u ka kërkuar edhe përmirësimin e kushteve në institucione arsimore.

“1. Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive. 2. Ministre reflekto, fillo dialogun. 3.Duam ngritje dinjitoze të pagave. 4. SBASHK-u është zëri ynë-dëgjojeni! 5.Ministre a fole ndonjëherë në Qeveri për kërkesat tona? 6.Kur mungon dialogu, mungon demokracia. 7.Mos na mohoni kontributin e viteve të 90-ta. 8.Nuk lejojmë të bëhen ndryshime të ligjeve në dëm të punëtorëve të arsimit. 9.Pensionistët ju arsimuan e ju po i ndëshkoni. 10.Duam përmirësimin e kushteve të punës në institucione arsimore. 11. E shenjtë është puna e mësuesit në edukimin e brezave. E të tjera në këtë frymë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës në Facebook.