Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari, në ceremoninë e FSK-së për Epopenë e UÇK-së tha se dëshmorët, veteranët e ata që i kontribuuan luftës së shenjtë të UÇK-së, janë shkruesit e historisë sonë të lavdishme. I ka shprehur mirënjohje NATO-s dhe shteteve mike të Kosovës për mbështetjen në luftën çlirimtare dhe lirisë e pavarësisë së Kosovës.
Jashari bëri thirrje për bashkim pavarësisht dallimeve politike, për ta jetësuar amanetin e dëshmorëve.
“Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur ndër shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik të ndërtuar me mund e sakrificë. Shteti që ndërtuam falë atyre që nuk kursyen as jetën, tash e kemi amanet ta zhvillojmë. Në rrugën tonë me shumë sfida duhet të jemi të bashkuar përtej dallimeve politike që të jetësojmë amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha Jashari.
Kryetari i Skenderajt tha se për t’ua çuan në vend amanetin dëshmorëve, duhet ta zhvillojmë shtetin.
“23 vite pas falë kontributit të të gjithëve kemi ushtrinë tonë që radhitet në mesin e ushtrive tjera në ruajtjen e paqes në botë. Të rënët në altarin e luftës sollën lirinë e pavarësinë. Ne lehtësojmë amanetin e tyre vetëm duke zhvilluar shtetin”, përfundoi Jashari.