Vendimi për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta nuk do të zgjatet edhe pas 20 korrikut.
Kjo pasi nga java e ardhshme parashihet që të jenë temperatura “që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë”.
“Pas konsultimeve me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Institutin Hidrometeorologjik, Ministria e Shëndetësisë njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore, për shkak të temperaturave të larta, do të përfundojë më datë 20.07.2024. Sipas parashikimeve, java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria kishte nxjerrë vendimin që prej datës 13 deri më 20 korrik të kufizohej orari i punës për disa kategori. Nga puna janë liruar gratë shtatzëna, punëtorët me sëmundje kronike kanë punuar me gjysmë orari dhe puna në sektorin e ndërtimtarisë ishin ndaluar gjatë orarit 11:00-17:00.
Ministria ka thënë se po e përcjell situatën në vazhdimësi dhe varësisht prej temperaturave do të ndërmerren edhe masa.