Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka dhënë dorëheqje nga ky post.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ahmetxhekaj ka thënë se vendimi i tij nuk nënkupton dorëzim, por është “kulmim i një presioni politik 7-mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.
Duke përmendur disa nga punët që janë kryer gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të kësaj detyre, Ahmetxhekaj ka thënë se ka shprehur vullnetin që ta ushtrojë detyrën deri në finalizimin e procesit të disa punëve, por Bordi e ka injoruar kërkesën e tij.
“Në gjykimin tim, një Drejtor i Përgjithshëm do të duhej të kishte mbështetje të plotë në krijimin e ekipit të tij dhe të mbrohet nga interferimi politik në çfarëdo forme dhe kurdo që mund të shfaqet. Uroj që pasardhësi im të jetë më fatlum në këtë drejtim. Të gjithë kolegëve, faleminderit për besimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj kohe. Uroj që RTK-ja të zhvillohet dhe transformohet ashtu siç e pret publiku. ‘Unë kisha një ëndërr’”, ka shtuar ai.
Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) tha se e mirëpret dorëheqjen e Ahmetxhekajt, duke u shprehur se përgjatë dy vjetëve e gjysmë qeverisjeje, ai “ka dështuar pothuajse në të gjitha fushat”.
“Përgjatë këtyre dy vite e gjysmë mandat, z.Ahmetxhekaj ka dështuar pothuajse në të gjitha fushat. Ka dështuar të krijojë ekip menaxherial profesional e me integritet, duke përzgjedhur brenda tij persona të dëshmuar për veprime joetike e antiligjore. Së bashku me vartësin e tij, Arsim Halili, kanë persekutuar punëtorët përmes proceseve tendencioze e të montuara, për të cilat veprime RTK është gjobitur nga Inspektorati i Punës në vlerën prej 30 mijë euro. Ka dështuar të krijojë raporte korrekte me Sindikatën, duke e degraduar për pesë shkallë dhe nxjerrë prej zyrës kryetarin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, veprim për të cilin ishte gjobitur në vlerën prej 3 mijë euro nga Inspektorati i Punës”, thuhet në reagim.
Sindikata tha se Ahmetxhekaj ka dështuar në realizimin e reformës organizative brenda RTK-së.
“Ka dështuar ta rregullojë çështjen e pronës dhe financimit të pavarur për RTK. Ajo çka është më e rëndësishmja, ka dështuar të krijojë ambient motivues e bashkëpunues brenda RTK-së. Puna e vetme e mirë e tij përgjatë këtyre dy viteve është dorëheqja, andaj e mirëpresim”, thuhet tutje në komunikatën për media.