Fjalë Kyçe

Johnson rikthehet nga pushimet në Republikën Domenikane, kërkon të rimarrë detyrën si kryeministër i Anglisë

Johnson rikthehet nga pushimet në Republikën Domenikane, kërkon të rimarrë detyrën si kryeministër i Anglisë

Boris Johnson, i cili 24 orë më parë ishte mijëra km larg me pushime në Republikën Domenikane, e që pritet të hedhë kandidaturën për kryeministrin e ri të Britanisë, si ish-kryeministër i vjetër, është e jashtëzakonshme sesi ai po dominon debatin politik në vend, në krizën më të thellë qeverisëse të Britanisë në dekadat e fundit.

Ne daç urrejeni, në daç duajeni, por një siluetë biondi e fotografuar në klasin ekonomik të një avioni të “British Airways”, ka bërë mundësinë e rikthimit të tij në krye të ekzekutivit, një realitet mjaft të afërt.

Ai ende pritet të shprehet nëse do të kandidojë apo jo, edhe pse gjasat janë thuajse të sigurta, njësoj si ish-rivali i tij, njeriu që shkaktoi cunamin e dorëheqjeve kundër Boris Johsnon në korrikun e kaluar që çuan në largimin nga posti të Johsnson. Do të duhen 100 deputetë që ta mbështesin për të kaluar në garën përfundimtare, kur anëtarësia e konservatorëve në pushtet, në votim online do të përcaktojë se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm. Aty gjasat janë që Johnson të fitojë, ndërkohë që Rishi Sunak, një britanik me origjinë indiane, dhëndri i një miliarderi dhe ekonomist i sprovuar, e ka kapur këtë shifër, ndërkohë që Johsosn është ende në gjysmën e kësaj shifre.

Faktikisht, Johnson nuk ka pasur më shume se 60 deputetë që e kanë mbështetur në grupin e tij parlamentar nga 350 syresh. Gjasat për një takim për një marrëveshje xhentëllmenësh mes dy më të talentuarve të Partisë Konservatore, në një krizë të thellë ekzistenciale, janë të pakta për t’u realizuar, ku më i interesuari është Johnson.

Ndërkohë që Johnson ka mbështetje më të madhe ndër anëtarët e partisë së tij, jo domosdoshmërisht më të sofistikuarit politikisht, të njëjtët që zgjodhën Liz Truss, një etalon disfunksionaliteti, ish-kryeministri britanik nuk pëlqehet nga shumica e britanikëve, të cilët në shumicë janë të shokuar thjesht nga ideja e rikthimit të tij pas tre muajsh pushimesh, në një kohë që britanikët e thjeshtë po goditen nga një krize e paprecedente ekonomike. Sipas analistëve, Johnson ka karizmën, sensin e humorit, madje edhe patalogjinë e gënjeshtarit serial, por rivali i tij Rishi Sunak, një britanik jo i bardhë, ka më vete eskelencën profesionale si ekonomist. Dhe kompetenca dhe profesionalizmi është tipari që kërkohet më shumë në këto kohë të vështira për një kryeministër, se sa shkaktari dhe një njeri që ende i ka të pambyllura llogaritë me hetimin parlamentar nëse ka gënjyer në kohën e Covid-it.

Ajo që është e qartë momentalisht, është se nuk ka ende një figurë uniteti mes fraksioneve të konservatorëve dhe një Zot e di se çfarë do të ndodhe deri të hënën, maksimumi të premten e ardhshme.