Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, i skadon mandati në prill të këtij viti teksa pritet që gjatë kësaj kohe të zgjedhet edhe kryeprokurori i ri.
Juristi, Labinot Leposhtica, vlerëson se pozitën e Lumezit për shtatë vjet si kryeprokuror duhet vlerësuar në dy anë teksa thotë se bëri më pak sesa kanë pritur nga ati, njofton Klankosova.tv.
“Atë që Lumezi tha sot në konferencë konsideroj që është një mesazh që kushdo që e pason atë në pozitën e kryeprokurorit të shtetit duhet të ketë parasysh se duhet bërë punën me ndershmëri”.
“Gjatë shtatë vjetëve Lumezin duhet ta vlerësojmë se si ishte gjendja para se të vijë në pozitë dhe si po e len këtë pozitë. Kur ka marrë pozitën para shtatë vjetëve Lumezi siç tha edhe ai ka shumë punë që duhet bërë dhe se deri tani janë bërë shumë punë – por, jo në masën që kemi pritë prej tij gjithsesi ka një progres. Por, jo në masë të kënaqshme dhe aq sa është pritur prej tij si Kryeprokuror”.
“Të dhënat statistikore nuk pasqyrojnë një sukses, megjithatë Lumezi vlerëson se tashmë kemi aktakuza mbi zyrtarë, ministra dhe punonjës institucional. Siç e dimë në burgjet e Kosovës ende nuk ka asnjë person të arrestuar të profilit të lartë”, tha Leposhtica.
Mes tjerash, Leposhtica, thotë se të gjashtë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit i plotësojnë kushtet dhe kanë shanse secili prej tyre që të zgjedhen në këtë pozitë.