Fjalë Kyçe

Jusuf Buxhovi tregon fatkeqësitë që po sjell klasa aktuale politike

Jusuf Buxhovi tregon fatkeqësitë që po sjell klasa aktuale politike


Në vazhdën e promovimeve të vëllimeve të fundit (VI,VII dhe VIII), me të cilat përmbyllet vepra historigrafike “KOSOVA” në tetë vëllime, historiani Jusuf Buxhovi, sot në Pejë, pati një bashkëbisedim të hapur me audotiriumin pejan rreth shtetndërtimit të Kosovës, si një proces i pandalshëm historik si dhe sfidat me të cilat është përballuar dhe po përballohet në rrugën e përmbylljes.

Sipas Buxhovit, shtetin e Kosovës e lindi lëvizja për barazi si një koncept politik që u shfaq në vitet e gjashtëdhjetë me kërkesën për Republikën e Kosovës, e cila ishte dinamizue me demonstratat e vitit 1981, prej nga pastaj, në fund të viteve të nëntëdhjetë kur u rrënua autonomia e Kosovës me dhunë, u kthye në platformë politike të rezistencës institucionale deri te ajo e armatosur në vitet 1989-1999.

Si tillë, shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Me këtë rast, Buxhovi duke iu referuar ngjarjeve nga viti 1999-2008, pra të atyre nën protektoratin ndërkombëtar kur edhe do të shpallet pavarësia, tha se paraqesin një zhvillim dinamik të përcjellë me shumë ngjarje dramatike, që e ngadalësuan këtë proces ose e vështirësuan deri buzë dështimit.

Për Buxhovin ato ishin të tilla ngaqë faktori ndërkombëtar, duke u mbështetur në doktrinën “siguria para demokracisë” zgjodhi për partner strukturat kriminale në veri dhe ato paramilitare, të shumtën nga Qeveria e Përkohshme, të cilat uzurpuar pushtetin me anën e krimit të organizuar, duke u shtri në të gjitha segmentet e jetës institucionale.

Sipas Buxhovit, trazirat e përgjakshme të marsit 2004 dhe shkëputja e veriut nga jeta institucionale e Kosovës, krijuan rrethana që procesi i shtetndërtimit të Kosovës të pengohej ose që të anulohej faqe, po mos të ishte ndërhyrja amerikane, e cila vuri në binarë bisedime e Vjenës dhe gjithë ato që do të fitojnë legjitimitet ndërkombëtar me Pakon e Ahtissarit. Amerikanët, në këtë mënyrë thuajse ultimativisht kërkuan shpalljen e pavarësisë edhe pa mbështetjen edhe OKB-SË, e cila, me veton ruse, shfaqej bllokuese e këtij procesi.

Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, temë e pashmangshme ishte edhe nisma e presidentit të Kosovës për marrëveshje me Serbinë. Edhe me këtë rast, Buxhovi u deklarua kundër saj duke e quajtur jo kushtetuese dhe të dëmshme për vetë faktin se nuk ka platformë politike dhe si e tillë Serbisë i krijon mundësi që të hapë çështjen e Serbisë së Madhe, gjë që do të jetë me pasoja edhe për çështjen e gjithmbarshme shqiptare, e cila nga subjekti politik kthehet në objekt pazaresh të rrezikshme. 

Buxhovi kritikoi klasën e gjithmbarshme politike , e cila me sjellje hipokrite në parlament dhe qeveri po lejojnë që çështja e shtetit të Kosovës si dhe fati i saj, në vend se të mbrohej me mjetet që i ka në dispozicion, të kthehet në pikën zero.