Mesfushori boshnjak do të largohet gjatë verës nga Barcelona, ku nuk arriti të linte gjurmë. Ish-futbollisti i Romës mund të rikthehet në Serie A, ku e pëlqejnë ish-klubi i tij Juventus dhe Interi
Miralem Pjanic i ka bërë valixhet gati për t’u larguar nga Barcelona. Mesfushori boshnjak në fakt nuk arriti të linte gjurmë tek gjiganti katalunas. Prandaj, largimi i tij nga “Camp Nou” është i pashmangshëm dhe tash ai po shikon përpara.
Përfaqësuesi boshnjak pritet të rikthehet në Serie A gjatë verës që vjen. Ish-futbollisti i Romës i ka dy opsione në Itali, shkruan Gazeta Express. Atë e do ish-klubi i tij, Juventusi, ndërsa së fundmi në garë për të është futur edhe Interi, i cili po planifikon ta përforcojë mesfushën e tij.
“Bianconeri” nuk janë dhe gjithaq të kënaqur me kontributin e Rabiot, Ramsey e Arthur, prandaj po kërkojnë alternativa. E kreativiteti i Pjanicit do t’i kryente shumë punë trajnerit të rikthyer, Massimiliano Allegri në Torino.
Ndërkohë, edhe trajneri i ri i Interit, Simone Inzaghi do ta mirëpriste veteranin e mesfushës Pjanicin, i cili duket se i ka prishur punët me trajnerin Ronald Koeman. Pjanic e do një ekip ku do të kishte hapësira për të luajtur, mundësi e cila nuk iu dha tek gjiganti katalunas në sezoni që përfundoi.