Juventusi i Massimiliano Allegrit pret Romën e Eusebio Di Francesco në kryendeshjen e javës së 17-të të Serie A.
Kampionët italianë duan ta çojnë përpara rrugën e deritanishme, si të pamposhtur, me 46 pikë. “Verdhekuqtë” kryeqytetas janë të gjashtët, bashkë me Atalantën dhe Sassuolon, me nga 24 pikë.
Në prag të kësaj përballjeje shumë të ethshme, po ju njohim me disa shifra dhe statistika:
– Juventusi është skuadra e Serie A, që ka fituar më shumë ndeshje kundër Romës: 80 (të paktën gjashtë më shumë se çdo skuadër tjetër në ligën më të lartë të futbollit italian).
– Juventusi i ka fituar të gjitha, shtatë ndeshjet e fundit në shtëpi, në Serie A, kundër Romës. Vetëm në fillim të viteve ’50 dhe ’60, “Zonja e Vjetër” ka pasur sukses të tillë për tetë ndeshje radhazi në shtëpi, kundër verdhekuqve.
– Në kalendarin e vitit 2018, Juventusi ka fituar 30 nga 35 ndeshje të luajtura në Serie A, të paktën tri më shumë se çdo ekip tjetër në pesë ligat e mëdha europiane.
– Juventusi është skuadra që e ka mbajtur më shumë portën të pastër (21 ndeshje) në vitin kalendarik 2018, duke marrë parasysh “top-5” ligat europiane. Nëntë prej tyre, në këtë sezon të Serie A (më shumë se çdo ekip tjetër).
– Kjo është sfidë mes dy ekipeve, që kanë shënuar më shumë gola në topat joaktivë në këtë ligë (10 gola, si Juventusi, edhe Roma).
– Cristiano Ronaldo i Juventusit ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë dy asiste në gjashtë ndeshje të Champions-it, të luajtura kundër Romës. Ylli portugez ka shënuar në të tria ndeshjet e fundit kundër verdhekuqve, raporton telesporti.
– Justin Kluivert i Romës është lojtari më i ri në këtë ligë, me një gol dhe një asist në “llogari”.