Mathijs de Ligt është një ndër lojtarët më të kërkuar në botën e futbollit në këtë moment dhe duket se garën për ta blerë nga Ajaxi po e fiton Juventusi.
Nga burime të ndryshme, në Itali e në Holandë, raportohet se klubi italian ka hedhur një hap gjigant përpara sepse është treguar shumë më i vendosur se Barcelona, PSG dhe Manchester United, që për arsye të ndryshme po hezitojnë.
Juve nuk ka probleme me bilancin, ndryshe nga Barça e PSG, ndërsa United nuk luan në Ligën e Kampionëve dhe është në kaos, ndaj De Ligt nuk e preferon, duke dhënë sinjal pozitiv për Juven, nxitur edhe nga agjenti Mino Raiola.
Juve ka gati 70 milionë euro për Ajaksin, si dhe një kontratë 5-vjeçare për super talentin holandez, i cili do të përfitojë një pagë prej 15-20 milionë eurosh në sezon.
Nëse ia del mbanë, Juve përforcon pozitat në elitën e futbollit europian dhe sezoni i ri do ta shohë sërish pretendent të madh për triumf në Champions League.