Nga Frank Wisner, Cameron Munter, Marko Prelec
Shihni Ballkanin Perëndimor! Siç e tregoi edhe samiti i fundit në Berlin, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, po e kuptojnë se duhet të përqëndrohen në zgjidhjet reale të problemeve të Ballkanit Perëndimor. Vizioni i “Evropës si një e tërë, e lirë dhe në paqe”, ka një cep të papërfshirë që tani e quajmë Ballkanin Perëndimor, i njohur më parë si Jugosllavia, para se ai vend të shpërbëhej në luftë, spastrim etnik dhe gjenocid.
Shtetet atje – Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi – janë sot të qeta, por kjo është një qetësi mashtruese. Rajoni është zhytur në telashe, të cilat mund të përhapen lehtësisht edhe në pjesën tjetër të Evropës, dhe të ndikojnë në interesat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Problemet më të vështirë, janë marrëdhënia midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj, tanimë një republikë e pavarur, Kosovës; dhe konfliktet brenda Bosnje-Hercegovinës mbi identitetin dhe mbijetesën e atij shteti.
Që të dy këto probleme, i kanë rrënjët tek lufta, dhe që të dyja ngrenë pikëpyetje themelore mbi identitetin, dhe janë thellësisht emocionale. Këto probleme janë si kockat e thyera, që u vendosën në vend me ngut, dhe që nuk u shëruan si duhet: ato ndikojnë në gjithçka, dhe do të vazhdojnë të shkaktojnë telashe.
Ndërkohë, i gjithë rajoni po vuan nga korrupsioni endemik, kapaciteti i ulët i shtetit, dhe qeverisja nga patronazhi dhe klientelizmi, dhe jo nga ligji. Gjithashtu, edhe ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Ndërsa aftësia e Moskës për të luajtur një rol vendimtar në rajon është e kufizuar, gjithsesi Rusia mund të ketë një rol shkatërrues për rajonin.
Ç’duhet bërë? Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, janë përpjekur të rregullojnë problemet në Ballkanin Perëndimor, por kjo dhe nuk ka funksionuar. Ndaj nevojitet një qasje e re, e cila të pranojë seriozitetin e problemit, dhe faktin se do të duhet një kohë e gjatë dhe burime të rëndësishme për ta zgjidhur atë.
Përpjekjet e dikurshme, kanë qenë të gabuara në njërën nga dy aspektet: ose i kanë shpërfillur problemet reale, ose janë përpjekur t’i zgjidhin shumë shpejt. Për shumë vite, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, i kanë inkurajuar udhëheqësit lokalë ta zhvendosnin vëmendjen nga problemet më të vështira, të cilat i vendosnin në konflikte të ashpra me njëri-tjetrin, në proceset teknike dhe apolitike të integrimit me Bashkimin Evropian dhe NATO.
Shpresohej se në këtë mënyrë do të zbuteshin konfliktet, që në fund do të bëheshin më të zgjidhshme. Tashmë është e qartë se kjo qasje nuk ka funksionuar. Megjithatë, çdo përpjekje për të arritur një sukses domethënës, qoftë në ndryshimin e kushtetutës së Bosnjes, apo në tejkalimin e dallimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, ka dështuar.
Çdo zgjidhje e pranueshme, do të përfshijë kompromise të dhimbshme. Për nacionalistët, është tunduese t’i sulmojnë këto kompromise si pazare apo tradhëtira. Këto probleme, nuk mund të zgjidhen brenda natës. Ato nuk do të zhduken, edhe pasi vendet e Ballkanit të hyjnë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Ato kërkojnë një vëmendje të vazhdueshme dhe durim përgjatë shumë viteve dhe nga shumë njerëz, të udhëhequr nga aktorë lokale, me mbështetjene e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Kërkimi i zgjidhjeve duhet të vazhdojë, por në heshtje, dhe mundësisht larg vëmendjes mediatike, dhe pa shpresa jorealiste për fitore të shpejta.
Ndërkohë, Evropa duhet ta ndihmojë rajonin të mbështesë veten, dhe të rindërtojë lidhjet e saj me të tjerët përreth. Është një ironi e trishtë, fakti që sot është më e vështirë të udhëtojë nga një pjesë e asaj që dikur ishte Jugosllavia në një tjetër, se sa të shkosh nga Varshava në Paris. Lëvizja e lirë e njerëzve, ideve, parave, mallrave, shërbimeve etj… brenda Ballkanit, dhe midis rajonit dhe Evropës, do të japë një kontribut të madh në ndërtimin e besimit, si dhe për të nxitur kërkesat për një qeverisje të mirë.
Integrimi i këtij rajoni në arkitekturën perëndimore politike, ekonomike dhe të sigurisë, është ende një synim i denjë, madje thelbësor, por shumë vite larg. Megjithatë, integrimi nuk do të zgjidhë në vetvete problemet politike të rajonit. NATO dhe BE, mund të pranojnë vetëm shtetet në paqe me veten dhe me fqinjët e tyre.
Dy konfliktet e mbetura ballkanike, e pengojnë pikërisht këtë: ato pamundësojnë formimin e shteteve të qëndrueshme dhe të rregullta. Askush nuk dëshiron një partner, për të cilin sundimi i ligjit është një shaka, dhe fqinjët e të cilit janë armiq të egër. Emergjenca e Ballkanit Perëndimor, theksohet edhe nga një zbulim i kohëve të fundit.
Pati deri para disa muajsh një sfidë të tretë: refuzimi i Greqisë për të pranuar emrin e Maqedonisë nga fqinji i tij. Të dyja vendet e zgjidhën konflikti me një emër të ri kompromisi, “Maqedonia Veriore”. Ai ishte më i lehti ndër problemet e mëdha të Ballkanit. E megjithatë, iu deshën gati 30 vjet për zgjidhjen e tij, dhe me një kosto të tmerrshme.
Maqedonia Veriore, humbi rreth 15 vjet progres në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE, pasi cilësia e qeverisjes së saj, kaloi nga më të mirat në më të këqijat në rajon. Maqedonia Veriore ndodhet tani në një rrugëtim të vështirë, por shpresëplotë. Për Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë, dhe pjesën tjetër të rajonit, nuk ka më kohë për të humbur.
Ka ardhur koha që udhëheqja e Evropës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, të rifokusohet në Ballkanin Perëndimor, për t’i dhënë rajonit dhe problemeve të tij vëmendjen që meriton, dhe përmbushë interesat tona për një Evropë të qëndrueshme dhe të begatë
Prandaj, për t’i adresuar këto sfida në Ballkanin Perëndimor, nuk mjafton që ne të mbështetemi vetëm tek mekanizmat ekzistues. Udhëheqësit evropianë, kanë të drejtë të angazhohen, dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme t’i mbështesin këto përpjekje.
Shënim: Frank G. Wisner, ish-diplomat karrere, ish-ambasador i SHBA-së në Kosovë. Cameron Munter, drejtues i Institutit Lindje-Perëndim në Nju Jork, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi (2007 -2009). Marko Prelec, ekspert mbi Evropën Jugore dhe Lindore, dhe shtetet e ish-Jugosllavisë.
“National Interest” – Bota.al