18 raste të reja të pickimit nga rriqrat janë evidentuar në Komunën e Malishevës. Institituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë thirrje që qytetarët të shtojnë masat e sigurisë dhe kujdesit nga rriqrat.
Rriqrat janë problem i madh kur temperaturat fillojnë të ngriten. Sidomos në zonat që këto insekte qarkullojnë.
Komuna e Malishevës ndër vite përballet me këtë çështje. Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë të kësaj komune, vetëm gjatë këtij viti, 18 persona janë pickuar nga rriqrat dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, pickimi i rriqrave ka filluar dhe ky është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së etheve hemorragjike.
Komunat që më së shumti janë prekur nga ethet e tilla janë Malisheva, Rahoveci, Klina, Suhareka dhe Gjakova, shkruan Insajderi.
Era Pireva, zyrtare nga ky Institut i ka thënë Insajderit se ekipet janë në terren çdo ditë dhe po bëjnë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik në të gjitha vatrat, përfshirë këtu edhe vatrat endemike të komunave fqinje: Lipjan, Drenas, Skenderaj, Prizren, Dragash.
IKSHPK ka bërë apel që qytetarët të shtojnë masat e sigurisë dhe kujdesit. Ata kanë radhitur një varg rekomandimesh se si të ruhen nga ethet hemorragjike.
“Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre, të përdoren preparate me të cilat lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën), të kontrollonjë trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit jasht, nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt dhe mos i shtypni me dorë”, thuhet në rekomandimet e IKSHPK.
Gjithashtu, IKSHPK bënë thirrje që të punohen tokat bujqësore dhe të kositet bari aty ku frekuentojnë njerëzit, të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë, të mos lihen fëmijët në livadhe e kopshte si dhe vazhdimisht, të kontrollohet trupi mos ndonjë rriqër është ngjitur.
“Dihet se pickimi nga këto insekte mund të jetë fatal, prandaj nëse keni ndonjë nga simptomat si: lodhja, temperaturë të lartë, dhimbje koke, të vjella dhe dhimbje të muskujve lajmërohuni tek doktori’, bënë thirrje IKSHPK.