Boksieri kosovar, Erdogan Kadrija, nuk ka arritur të marrë titullin e kampionit të Gjermanisë, në kategorinë kruzer. Ai u mposht nga 26-vjeçari Roman Fress me një nokaut të fuqishëm, në një duel të zhvilluar në Magdeburg të shtunën.
Kadrija u godit fort në rundin e katërt dhe pas rrëzimit në tokë, gjyqtari nuk numëroi fare deri në 10 por e shpalli të përfunduar meçin.
“Jam tejet i zhgënjyer me veten. Ai reagonte shpejt dhe mori avantazhet e dobësive të mia. Doja të vazhdoja meçin, por gjyqtari e ndërpreu. I uroj fat Romanit, më nokautoi dhe meritoi fitoren”, ka thënë Kadrija pas meçit.
Kjo ishte humbja e tretë e Kadrijës në karrierën profesionale. Pos tri humbjeve, 34-vjeçari ka edhe 16 fitore.