Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, duket se ka kritikuar Presidentin rus, Vladimir Putin, duke lënë të kuptohet se po tregohet shumë i butë me ukrainasit. Në një mesazh video, udhëheqësi i republikës çeçene, pjesë të Federatës Ruse, kërkoi që Putin të rriste presionin ushtarak mbi Ukrainën, duke sulmuar edhe qytete të tjera, përfshi edhe Kievin.
“Duhet të nisim menjëherë fazën e dytë të luftës dhe të futemi në qytete të tjera, si Kharkiv, Kiev, Kherson… Në të gjitha qytetet, të marrim kontrollin dhe të vendosim autoritetin tonë atje. Pastaj të vazhdojmë dialogun me shtetet e tjera që duan të kenë marrëdhënie me ne. Nëse duan sanksione, do të përballemi me to. Nëse duan luftë, do të luftojmë… Si luftëtar, i kërkoj lidershipit të vendit të marrin këtë vendim. Sa më shpejt, aq më mirë. Vladimir Vladimirovich, po presim urdhrin. Shoku Komandant Suprem, shërbëtorët e tu janë 100% gati”.
Kadyrov mban gradën e gjeneralit në Gardën Kombëtare të Rusisë, përveç se është kreu i Çeçenisë, një vend i pasur me naftë. Ai konsiderohet se është njeriu i dytë më i pasur në vend, pas Putinit. Çeçenia besohet se ka dërguar disa mijëra trupa në Ukrainë, që luftojnë kryesisht në jug të vendit./a2cnn