Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të premten e ka cilësuar “gabim teknik” vendimin e vet të dy ditëve më parë për dhënien në “shfrytëzim të përkohshëm” të Kalasë së Vushtrrisë, e cila figuron në Listën e monumenteve nën mbrojtje të përhershme nga shteti, transmeton Gazeta Metro
Paraditen e së premtes ky institucion “ka plotësuar” vendimin e vet duke specifikuar se bëhet fjalë për lëshim me qira vetëm të aneksit e jo të Kalasë së Vushtrrisë.
“Miratohet kërkesa e ‘Dardania Castle’ me pronar z. Mentor Salihu, për marrjen në shfrytëzim të përkohshëm të aneksit (objektit montazh) në Kalanë e Vushtrrisë, në Vushtrri”, është shkruar në vendimin e IKMM-së, një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”.
Por pavarësisht këtij korrigjimi, po të premten gjatë ditës Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka marrë vendim që të ndalohet “çdo veprim i paautorizuar në Kalanë e Vjetër në Vushtrri”. Sipas këtij vendimi, drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve obligohet “që në pajtim me gjetjet dhe konstatimet e këtij vendimi t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbatimin e tij”.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka vizituar Kalanë e Vjetër të qytetit, ku ka takuar zyrtarë të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Vushtrrisë për t’u njohur nga afër me gjendjen faktike.
Në arsyetimin e Inspektoratit për ndalimin e “çdo veprimi të paautorizuar” del se atyre nuk iu ka bërë përshtypje fare vendimi i ri i IKMM-së “me të cilën plotësohet/ndryshohet vendimi nr.68/2019 të datës 16.10.2019, me të cilën IKMM e ka aprovuar kërkesën e subjektit juridik ‘Dardania Castle’ me pronar z.Mentor Salihun, për marrjen në shfrytëzim të aneksit (objekt montazh) në Kalanë e Vushtrrisë”.
“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me vendimin e lëshuar ka tejkaluar kompetencat e saj bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, pasi pavarësisht marrëdhënieve pronësore me Kalanë, të njëjtit nuk kanë të drejtë që t’i japin leje për veprimtari që mund të ndikojnë në vlerat e trashëgimisë kulturore të kategorisë arkeologjike, pasi që duke u bazuar në mandatin e saj të përcaktuar me Rregulloren nr. 06/2017, të njëjtit mund të japin leje vetëm për veprimtaritë që ndikojnë në vlerat e trashëgimisë kulturore të kategorisë arkitekturore”.
Gjithnjë sipas arsyetimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, dispozitat e Ligjit për trashëgimi kulturore nuk parashohin në asnjë vend që asetet e trashëgimisë kulturore të kategorisë arkeologjike, sikurse është rasti i Kalasë së Vjetër, të mund të jepen në shfrytëzim me qëllim të përfitimit ekonomik.
Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM-së, ka thënë se në vendimin e së mërkurës është bërë “gabim teknik”. Në fakt, ajo çfarë ka bërë Hajrullahu me vendimin e 16 tetorit ka qenë “reprizim” i vendimit të korrikut të vitit 2017, kur ushtruesi i detyrës së drejtorit të IKMM-së, Agim Gërguri, kishte vendosur që t’ia jepte në shfrytëzim Kalanë të njëjtës kompani. Bile me këtë rast kishte nisur të merrej edhe Prokuroria. Vetë IKMM-ja më 19 korrik të atij viti 2017 kishte zyrtarizuar shkëputjen e kontratës për dhënien me qira të Kalasë së Vushtrrisë.
“Shpallet e pavlefshme, shkëputet njëanshëm kontrata e lidhur ndërmjet Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në njërën anë dhe Mentor Salihut, përfaqësues i kompanisë ‘Dardania Castle’, të lidhur më 7.7.2017 (e pavulosur dhe e paprotokolluar) mbi dhënien me qira të objektit nën mbrojtje të përhershme shtetërore e njohur si ‘Kalaja e vjetër’ (Kalaja e Vushtrrisë në kontratë)”, thuhej në këtë vendim.